E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vëllai i madh”, kamera në semaforë për kontrollin e trafikut



Menaxhimi i trafikut urban në kryeqytet ka një projekt i cili pritet që së shpejti të vihet në praktikë, përmes 64 semaforëve të rinj që do t’u shtohen rrugëve të kryeqytetit, 18 kamera që do të vendosen në rrugët kryesore dhe me trafik të rënduar, duke shtuar këtu edhe një qendër kontrolli, e cila do të shpërndajë informacion mbi trafikun. Brenda vitit 2010 pritet që projekti të gjejë zbatim në vend.

Projekti

Është gati për tenderim projekti i Bashkisë së Tiranës “Kontrolli i trafikut urban”, i cili do të reformojë rrënjësisht sistemin e informacionit të trafikut në qytet. Projekti financohet nga Banka Evropiane, ka një vlerë prej 2,8 milion eurosh dhe është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë italianë të shoqërisë “Apri” që operon në këtë fushë.

Koha për zbatimin e projektit mendohet të jetë rreth 1 vit e gjysmë dhe brenda 2010-ës pritet që gjithçka të fillojë funksionimin.

Në përfundim të projektit, Tirana do të ketë 64 semaforë të integruar në sistem, 18 kamera në rrugët kryesore dhe me trafik më të rënduar dhe një qendër kontrolli nga ku do të merret dhe shpërndahet i gjithë informacioni në lidhje me menaxhimin e trafikut në qytet. Gjithashtu, projekti parashikon vendosjen e 10 paneleve elektronike në rrugët kryesore, të cilat do të shërbejnë për njoftime të ndryshme të trafikut dhe motit.

Në këtë mënyrë, zbatimi i projektit “Kontrolli i trafikut urban” do të bëjë të mundur jo vetëm menaxhimin e trafikut në qytetin e Tiranës, por edhe menaxhimin e krizave dhe rasteve të emergjencës. Nëpërmjet këtij sistemi, bashkia mund të monitorojë edhe aktivitetin e linjave urbane në Tiranë.

Situata aktuale

Qarkullimi me automjete në kryeqytetet mund t’ju marrë disa orë nga aktiviteti juaj i përditshëm. Si epiqendra e vendit dhe kryeqyteti i vendit, Tirana çdo ditë e më shumë po përballet jo vetëm me mbipopullim, por edhe me dyndje tejet të madhe të makinave. Sipas specialistëve të Ministrisë së Mjedisit, të paktën 100 mijë makina lëvizin në ditë në Tiranë. Për të kryer punë të ndryshme apo thjesht për të konsumuar një kafe, për njerëzit makina është bërë mjet i domosdoshëm. Çdo orar të ditës lëvizja nëpër qytet është tejet e rënduar dhe kjo e gjitha si shkak i trafikut të rënduar që mbizotëron. Si rrugët lidhëse, ashtu edhe ato dytësore, çdo ditë ndeshen me kaosin e trafikut. Specialistë të mjedisit madje guxojnë të shkojnë akoma më tutje, duke i sugjeruar Bashkisë së Tiranës që të ndërtojë një tjetër mënyrë kontrolli të trafikut. Sipas tyre, një mënyrë që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë, si në menaxhimin e trafikut, ashtu edhe në reduktimin e ndotjes, është qarkullimi i makinave drejt qendrës përmes një kalendari. Duke vijuar më tej, ata shpjegojnë se këtë praktikë e përdorin disa vende evropiane, ku makinat qarkullojnë në qytet vetëm sipas targave të vendosura në ditë të caktuara të javës, ndërsa për ata që dëshirojnë medoemos që të hyjnë në qendër me makinë, pavarësisht faktit se targa e tyre nuk është atë ditë, shumë mirë mund të paguajnë taksë të veçantë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›