E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Part--Time”, degë të liberalizuara dhe tarifa më të ulëta



Këshilli i Ministrave pritet të miratojë brenda këtij muaji kuotat dhe tarifat për sistemin me kohë të pjesshëm në universitetet publike. Burime nga këto universitete bëjnë të ditur se shumë degë do të jenë të liberalizuara, ndërkohë që tarifat e shkollimit do të jenë më të ulëta se tre vite më parë. Burime nga Universiteti i Tiranës bënë të ditur se Ekonomiku dhe Biologjia do të jenë pa limit kuotash pranimi, ndërkohë që edhe Juridiku ka propozuar rihapjen e sistemit me kohë të pjesshme.

Kuotat dhe tarifat

Shumica e shkollave nuk do të kenë kuota, duke hapur dyert për të gjithë aplikantët. Në këtë mënyrë, degët që nuk preferohen nga studentët si Biologjia, Fizika e të tjera do të jenë të liberalizuara. Por, në këtë kategori, Universiteti i Tiranës ka propozuar edhe Fakultetin e Ekonomisë, i cili do të pranojë të gjithë studentët që aplikojnë, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave. Sakaq, departamentet e tjera do të kenë kuota. Në këtë mënyrë, Universiteti i Tiranës ka propozuar 200 kuota për Fakultetin e Drejtësisë.

Tarifat e studimit këtë vit pritet të jenë më të ulëta se dy vjet më parë. Burime nga Universiteti i Tiranës kanë bërë të ditur për gazetën se shumica e fakulteteve do të kenë tarifa nën 70 mijë lekë të reja për çdo vit shkollor. Sakaq, tarifa e shkollimit për degët më të parapëlqyera si Drejtësi dhe Ekonomik, pritet të jetë 75 mijë deri në 100 mijë lekë të reja.

Kriteret e pranimit

Sipas të gjitha të dhënave, Matura Shtetërore nuk do të jetë një ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për studentë as në universitetet publike. Burime nga Ministria e Arsimit bënë të ditur se përzgjedhja për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit të kaluar akademik do të mjaftohen me mesataren e shkollës së mesme dhe jo me pikët e grumbulluara nga Matura Shtetërore. Këto burime theksojnë se në shumicën e rasteve në sistemin me kohë të pjesshme janë pranuar të gjithë aplikuesit, që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë paguar tarifën, duke e bërë në këtë mënyrë përzgjedhjen inekzistente.

Vlen të theksohet se procedurat e mëtejshme do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave në vendimin përkatës, ndërkohë që regjistrimi në universitet do të kryhet pas përfundimit të regjistrimit të studentëve në sistemin me kohë të plotë.

Burimet nga ministria deklarojnë se këtë vit nuk do të krijohet kaosi i një viti më parë, pasi shkollat që kanë dorëzuar në këtë institucion programet e reja, nuk do të hasin pengesa të panevojshme. Madje, sipas saj, në shtator do të miratohet edhe vendimi i posaçëm i Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohen modalitetet për secilën shkollë të lartë që do të ofrojë këtë lloj studimi.

Konferenca e Punës “i shpall luftë” informalitetit në ndërtim

Konferenca e Punës i ka shpallur luftë informalitetit në fushën e ndërtimit, duke e cilësuar atë si një nga problemet më të mëdha që shqetëson sot jo vetëm qeverinë, por edhe ekonominë shqiptare, si dhe grupet e interesit. Kjo ishte tema kryesore e Konferencës Vjetore të Punës, që u organizua dje në Durrës.

Sipas ministrit Barka, “qeveria e Shqipërisë e ka vënë në prioritetet e saj luftën kundër informalitetit ekonomik, si burim i shumë e shumë të këqijave për ekonominë dhe punonjësit shqiptarë”. Ai shtoi se “informaliteti godet fuqishëm buxhetin e shtetit, duke mos futur në të sasi shumë të konsiderueshme të ardhurash, shpërndan paga të vogla, të cilat në çdo rast janë jashtë vëmendjes së shtetit dhe si të tilla, nuk respektojnë kufijtë minimalë të vendosur me ligj, lë jashtë mbulimit me sigurime shoqërore dhe shëndetësore masa të mëdha punonjësish etj.”.

Konferenca organizohej me pjesëmarrjen e ministrit të Punës dhe Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës-ILO në Tiranë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›