E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF, Ekzekutivi konfirmon Nurin dhe Kasmin

Anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës votëbesojnë edhe sekretarin Prodani, i cili ka kaluar me sukses periudhën e ambientimit Edhe për katër vitet e ardhshme do të vazhdojnë të jenë numrat 2 të futbollit shqiptar

Pas Asamblesë së 9 marsit, ku Armand Duka u rikonfirmua edhe për 4 vjet të tjera në krye të futbollit shqiptar, Komiteti Ekzekutiv ka zhvilluar mbledhjen e parë në mandatin e ri. Në rendin e ditës ka qenë miratimi i dy zv.presidentëve të FSHF-së, por edhe votimi për një prej posteve më të rëndësishme në këtë institucion, ai i sekretarit të përgjithshëm.

Federata do të vazhdojë punën e nisur, pa ndryshuar asnjë presje në krahasim me këto vitet e fundit, drejt zhvillimit të sportit më popullor në vend dhe krijimit të kushteve sa më komode për skuadrat për të luajtur dhe për t’u stërvitur. Ashtu si ndodhi me kreun e FSHF-së, edhe në postin e zëvendësuesve të tij janë konfirmuar Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri. Emrat e tyre janë përcaktuar pas votimit të fshehtë të 11 anëtarëve të Ekzekutivit, ndërsa rivali i vetëm ishte Pjerin Fushaj, një prej emrave të rinj që u bënë pjesë e organit më të lartë vendimmarrës gjatë Asamblesë Zgjedhore. Në mbledhjen e djeshme është marrë edhe një tjetër vendim shumë i rëndësishëm: ai i përcaktimit të sekretarit të përgjithshëm. Gjatë verës, në postin e dytë për nga rëndësia në federatë ishte emëruar Eduard Prodani, i cili zëvendësoi paraardhësin Arben Bici, i cili paraqiti dorëheqjen për arsye personale. Këto muaj kanë qenë një periudhë gjatë së cilës Prodani, i propozuar sipas statutit nga presidenti Duka, duhej të familjarizohej me detyrën e re dhe me punën pranë sportit. Ai e ka kaluar me sukses “testin” dhe tashmë duhet të propozojë emrat për postet kyçe në federatë, si shefin e sektorit të garave, shefin e gjyqtarëve, apo shefin e ekipeve kombëtare.

Pasi ka përcaktuar zv.presidentët dhe sekretarin e përgjithshëm, detyra e ardhshme e shtëpisë për Ekzekutivin është ndarja e “portofolëve”, e thënë ndryshe përcaktimin e personave që do të mbikëqyrin për sektorët e veçantë. Ashtu si ka ndodhur edhe gjatë 4 viteve të kaluara, zv.presidenti Nuri pritet të kujdeset për financat e FSHF-së. Arben Dervishaj do të merret me mbarëvajtjen e investimeve në infrastrukturë (ku përfshihen rikonstruktimet e stadiumeve dhe ndërtimi i terreneve të reja stërvitore për klubet elitare, por edhe ato të kategorive më të ulëta). Skënder Hyka do të punojë pranë sektorit të garave, ndërsa Tahir Kastrati, presidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve, i cili bëhet direkt anëtar i KE-së, do të kujdeset për punën e “xhaketave të zeza”, të cilët mbeten një prej fenomeneve më të diskutuara dhe që krijojnë më tepër debate në sportin e top-këmbës. Detyrë mjaft të rëndësishme do të ketë edhe juristi Artan Hajdari, që është edhe anëtar i komisionit juridik në UEFA: ai do të kujdeset për punën e komisioneve juridike në federatë, ku më të rëndësishmet janë Disiplina dhe Apeli. Abdyl Kuriu do të kujdeset për sektorin e të rinjve, ndërsa presidenti i minifutbollit, Alfred Zijai, do të punojë për zhvillimin e futbollit të sallave.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›