E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana ankohet për gjyqtarët dhe promovon Botërorin Angli 2018

Në sezonin e tij të parë në kampionatin më të fortë në botë, Premiershipin anglez, Lorik Cana deklaron se zhgënjimi kryesor ka qenë gjykimi kontradiktor. Kapiteni shqiptar i Sandërlendit do të mungojë edhe në ndeshjen e radhës që skuadra e drejtuar nga Stiv Brus do të luajë përballë Birmingamit, me të cilën do të përfundojë edhe pezullimin për dy javë, pasi kishte plotësuar numrin e ndëshkimeve me dhjetë kartonë të verdhë. 26-vjeçari, që është një prej elementëve kryesorë të Kombëtares kuqezi, është i vetëdijshëm se roli i “shkatërruesit” përpara mbrojtjes e bën të pashmangshëm pezullimin, por beson se në disa raste, vendimet e “xhaketave të zeza” kanë qenë të padrejta ndaj tij. Cana mendon se arbitrit në Angli përdorin standarde të dyfishta. “Për vetë rolin ku aktivizohem në fushë dhe për stilin tim të lojës, mendoj se është normale që të mungoj në dy apo tri ndeshje gjatë sezonit për shkak pezullimi”, tha lojtari i “maceve të zeza”. “Personalisht nuk ankohem për këtë fakt. Megjithatë, e kam të vështirë që të pranoj disa vendime kontradiktore të gjyqtarëve, kur ndëshkimet për ndërhyrjet e mia krahasohen me ato të disa lojtarëve të tjerë në kampionat”.

Ndërkohë, Cana po shfaqet shumë aktiv në fushatën që Botërori 2018 të zhvillohet në Angli. Ai, së bashku me Paulo da Silvën ka vizituar një prej dyqaneve “Morrisons”, kompani e cila është partnere zyrtare e fushatës dhe që synon mbledhjen e mbi dy milionë firmave, për të treguar se entuziazmi në ishullin e mbretëreshës është i madh. Shqiptari deklaroi: “Kam luajtur në vende të ndryshme, por që prej transferimit në Angli kam përjetuar një realitet të ndryshëm. Këtu, pasioni dhe entuziazmi për futbollin janë të jashtëzakonshëm. Anglia e meriton organizimin e këtij evenimenti, pasi ka gjithçka: nga tifozët fantastikë e deri te stadiumet moderne”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›