Lala, javën tjetër, stërvitje me grupin
Për fatin e mirë të Altin Lalës, dëmtimi në gju, i pësuar gjatë javës së kaluar në stërvitje, nuk ka qenë serioz. Kapiteni i Kombëtares shqiptare po vazhdon të rehabilitohet, ndërsa pritet që shumë shpejt të jetë i gatshëm për t’u stërvitur me pjesën tjetër të lojtarëve të Hanoverit. Lajmi është bërë i ditur nga trajneri i skuadrës së Bundesligës gjermane, Mirko Slomka. Pasi konfirmoi se mesfushori shqiptar do të mungojë edhe në ndeshjen e fundjavës me Shtutgartin, drejtuesi i stolit konfirmoi se Lala do të jetë në shërbim të ekipit, për pjesën e mbetur të sezonit. 34-vjeçari do t’i bashkohet grupit gjatë javës së ardhshme, ndërsa prezenca e kuqeziut është cilësuar si mjaft e rëndësishme, jo vetëm për eksperiencën e jashtëzakonshme, por edhe për aftësitë si lider.
#