E Diel, 1 Nëntor 2026

Barcelona, eliminimi sjell revolucionin

"Mbyllja e një cikli". Të gjitha mediat spanjolle janë në një mendje: pas eliminimit nga Liga e Kampioneve dhe sezonit të dytë radhazi pa fituar asnjë titull, te Barcelona ka ardhur koha për ndryshime. Ashtu si ndodh shpesh, i pari që bëhet "kurban" në raste të tilla është trajneri. Rajkard ka bërë të ditur se nuk do të japë dorëheqjen, megjithatë, duke bërë llogaritë e këtij edicioni, vështirë se bordi drejtues do ta konfirmojë edhe për sezonin e ardhshëm. Kandidatët më të fortë për t‘u bërë pasardhës të tij në listën e dëshirave të katalanëve janë Rafa Benitez, Majkëll Laudrup dhe Bepe Guardiola. Nga ana tjetër, për teknikun holandez interesohen disa klube angleze, si Çelsi (Rajkard është alternativë e Skolarit, Murinjos dhe Biliçit) dhe Mançester Sitit, pasi lamtumira e Erikson nga skuadra e Shinauatras duket më shumë se thjesht një zë i fundsezonit. Për sa u përket futbollistëve, e ardhmja e Ronaldinjos dhe ajo e Zambrotas janë të lidhura me Milanin. Për brazilianin interesohen edhe Çelsi e Interi, megjithatë kuqezinjtë janë zgjedhja e parë e lojtarit. Drejt largimit nga skuadra janë edhe Edmilson, Silvinjo, Ezkuerro dhe Lilian Turam, kontrata e të cilëve përfundon në fund të sezonit. Barça do të ndërtohet rreth talenteve të sulmit, Lionel Mesi dhe Bojan Krkiç, ndërkohë që pozitat e Dekos dhe Henrisë nuk janë aspak të qeta. Nuk përjashtohet mundësia që francezi të rikthehet në kampionatin anglez, ashtu sikundër do të ndodhë edhe me Edijur Gudjonsen. Një element i cilësuar "i pashitshëm" nga drejtuesit në "Kamp Nou" është kamerunasi Eto‘o. Megjithatë, kjo nuk i ka frenuar mediat britanike që të spekulojnë rreth një shkëmbimi të mundshëm me bullgarin e Totenhemit, Berbatov. Konfirmimi me "blaugranat" duket i sigurt për portierin Viktor Valdes, mbrojtësit Pujol, Milito e Abidal dhe mesfushorët Çavi, Inesta dhe Jaja Ture. Largimi do të shoqërohen me afrimin e "gjakut të ri": në listën e dëshirave për merkaton e verës janë përcaktuar disa prej emrave që i nevojiten me domosdoshmëri skuadrës. Ndër më të lakuarit janë ata të brazilianit të Seviljas, Daniel Alvesh dhe sulmuesit francez të Lionit, Benzema. Përflitet edhe për rikthimin e mundshëm të Çesk Fabregas, por të paktën për momentin gjasat duken të pakta. Për të përforcuar mbrojtjen, pas mungesës së një marrëveshjeje me argjentinasin e Rasing Santander, Garai, do të vijë nga Deportivo La Korunja, Koloçini, me të cilin është arritur akordi.

Ndërkohë që Barcelona po kalon një moment shumë të vështirë, ku mbizotëron pasiguria, të gjithë pendohen për Ronaldinjon. Gjatë këtij sezoni fantazisti ishte shndërruar në "fantazmë" në "Kamp Nou". Në mungesë të numrit 10, Barça nuk ka funksionuar. Nuk është më e njëjta skuadër si ajo që dhuronte spektakël, shënonte shumë dhe në fushën e lojës zbavitej dhe zbaviste tifozët. Që prej 9 marsit (dita e humbjes 2-1 në shtëpi me Vijarealin), gjithçka ka ndryshuar. Në 12 ndeshje, skuadra e Rajkard ka fituar vetëm tri herë: dy prej të cilave me Shalken në Champions. Rezultatet e tjera janë për t‘u harruar: pesë barazime dhe katër humbje. Edhe Ronaldinjo ka vendosur të luajë me shifrat, duke vënë në vëmendjen e të gjithëve se "unë kam luajtur 26 herë dhe në ato ndeshje skuadra ka shënuar 41 gola, fituar 15 takime, barazuar 7 dhe humbur vetëm 4".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›