Drogba i dhuron Çelsit finalen e parë në Champions
Çelsi mposht 3-2 Liverpulin në kohën shtesë (4-2 rezultati i përgjithshëm) dhe kualifikohet për në finalen e Ligës së Kampioneve, ku më 21 maj në Moskë do të ndeshet me Mançester Junajted. Skuadra e Avram Grant vinte e karikuar në këtë sfidë, edhe sepse në "Stemford Brixh" blutë synonin të arrinin finalen e parë në historinë e klubit. Në këtë mënyrë prishet "tradita", pasi Liverpuli nuk arriti të përsëriste dy përballjet e mëparshme (2005 dhe 2007), ku kishte eliminuar skuadrën londineze. Sfida fillon me Çelsin menjëherë në sulm dhe momenti i parë i rrezikshëm vjen nga këmbët e Didier Drogbasë, i cili ka vënë në provë Reinën me një gjuajtje rrafsh me tokën. "Reds" kundërpërgjigjen me Torres, në të 10-tën, por në rrugën e spanjollit është portierin Petr Çeh. Pas këtij momenti, londinezët shfaqen dukshëm superiorë: fillimisht Drogba nuk kalibron si duhet nga pozicion i prirët, ndërsa pas tij tentojnë edhe Esien e Balak, por pa arritur të mposhtin Reinan. Takimi zhbllokohet në minutën e 33-të, kur Drogba përshëndet rrjetën pas një topi të kthyer nga portieri i Liverpulit, që grushtoi një tentativë të Kalu. Miqtë tentojnë të barazojnë menjëherë në fillimin e pjesës së dytë, por Çeh është shumë reaktiv në devijimin e holandezit Kuijt, duke larguar sferën që po i drejtohej rrjetës. Nga ana tjetër, Çelsi synon të shënojë golin e sigurisë me Lampard, por mesfushori i kombëtares angleze nuk e kalon dot topin pas shpinës së Reinas. Barazimi vjen në të 64-ën, me Fernando Torres. Sulmuesi shfaqet në pozicion të mirë shënimi pas inkursionit të Josi Benajun dhe përballë Çeh nuk fal. Koha e rregullt përfundon në barazim 1-1 dhe ndeshja shkon në kohën shtesë. Në të 98-n, Mikael Balak fiton një 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Lampard. Minuta e 105-të sjell edhe golin e tretë për Çelsin, që mban firmën e Didier Drogba. Liverpuli shkurton shifrat në 3-2 me Babel, pas një gjuajtje potente nga distanca, por kjo nuk i ka mjaftuar skuadrës së Benitez. Tashmë, përballë "Djajve të Kuq", skuadra e Grant ka shansin të hyjë mes gjigandëve në kontinent.