E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët e Realit, mendime të ndryshme për Canën

Lajmi i publikuar disa ditë më parë në gazetën "L‘Equipe" rreth interesimit të Realit të Madridit për Lorik Canën, ka hapur një debat mes tifozëve të kampionëve të Spanjës. Në faqet e ndryshme të internetit komentohen paraqitjet e futbollistit kuqezi, si dhe fakti nëse ai duhet të blihet apo jo nga presidenti Kalderon gjatë merkatos verore. Në forumin e "mercafutbol.com", tifozët janë të ndarë mes atyre që mendojnë se futbollisti shqiptar i shërben skuadrës dhe atyre që mendojnë se Cana nuk është i vlefshëm për madrilenët. "Ka karakter, forcë, agresivitet", shkruan një nga tifozët. "Shihni videot e tij në internet, është një mur i vërtetë dhe ka kurajo. Do të jetë një blerje e goditur", shkruan përdoruesi me nofkën Alber. "Është një makinë dhe do të jetë Redondo i ardhshëm", shkruan një tjetër përdorues, me pseudonimin madrilista. Por ka edhe prej atyre që mendojnë se blerja e Canës do të ishte e kotë, pasi Realit nuk i shërbejnë lojtarë të tillë. "Ia vlen si lojtar, por shkakton faulle çdo minutë", shkruan Ejjs. "Cana është një shkatërrues i mirë, por nuk di ta pasojë topin. Madridit i duhet një lojtar i ekuilibruar", ishte komenti i përdoruesit Barracuda.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›