K. Ronaldo: Tani të mendojmë për titullin
Mesfushori i Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo, ka ftuar shokët e tij të mendojnë për kampionatin gjatë këtyre dy javëve, në mënyrë që të sigurojnë sa më parë titullin. Sipas tij, kjo do të ishte mënyra më e mirë për të qenë të gjithë të përqendruar para finales së Ligës së Kampiones. Pas ndeshjes së Moskës, ai do të ulet të flasë me drejtuesit e klubit, për të përcaktuar të ardhmen e tij, jo rreth ndonjë largimi të mundshëm, por rreth rinovimit të kontratës aktuale. "Ajo që po mendoj tani është të luaj në finalen e Ligës së Kampioneve dhe të fitoj ndeshjen e ardhshme ndaj Uest Hemit, për të fituar kampionatin. Për të ardhmen nuk di çfarë të them dhe nuk dua të flas për të. Do të flas rreth saj pas finales së Ligës së Kampioneve", u shpreh kandidati kryesor për "Topin e Artë". Portugezi nuk ka harruar të falënderojë tifozët e ekipit që mbështetën "djajtë e kuq" gjatë gjysmëfinales me Barcelonën. "Fansat tanë ishin të shkëlqyer. Ata bënë një punë të mirë, duke kënduar gjatë të gjithë ndeshjes. Kjo i motivoi më shumë lojtarët dhe na ndihmoi të merrnim një rezultat shumë të rëndësishëm. Kjo është një ndjenjë e shkëlqyer. Për mua është finalja e parë në Ligën e Kampioneve dhe jam shumë i lumtur. Është një arritje e madhe për mua dhe shokët e skuadrës. Finalja është pas tri javësh dhe ne do të kemi kohë për t‘u përgatitur dhe për të qëndruar të përqendruar. Por gjëja më e rëndësishme në dy javët e ardhshme është kampionati, pasi duhet të sigurojmë titullin kampion", u shpreh Kristiano Ronaldo, i cili ka shënuar 38 gola gjatë këtij sezoni.