Sezoni i dështuar, tifozët e Livornos kundër Bogdanit
Duhej të ishte viti i "hakmarrjes", por gjërat për Erjon Bogdanin po shkojnë çdo ditë e më keq. Pasi kaloi në formë huazimi te Livorno gjatë merkatos verore të vitit të kaluar, sulmuesi shqiptar shpresonte të kthehej në idhullin e tifozerisë së ekipit, duke zëvendësuar Kristiano Lukarelin e larguar. Por, gjërat kanë shkuar krejtësisht ndryshe, duke filluar nga mungesa e golit, për të vazhduar me kthimin në një zëvendësues, që nis çdo ndeshje nga stoli, e për të përfunduar me kontestimin nga ultrasit e ekipit. Një situatë e tillë po shtyn bomberin kuqezi që të largohet në përfundim të këtij sezoni nga Livorno, për t‘u kthyer te Kievo apo për të vazhduar karrierën e tij në ndonjë skuadër tjetër italiane, që i garanton një vend mes titullarëve dhe qetësinë që i ka munguar gjatë dy sezoneve të fundit.
Gjatë ditës së martë, Bogdani është përballur me disa nga tifozët e Livornos, të cilët kanë kontestuar skuadrën që rrezikon rënien në Serinë B. Që në mëngjes, tifozët kanë mbërritur në kompleksin stërvitor të ekipit, duke kërcënuar rëndë presidentin Spineli dhe disa prej futbollistëve, të cilët u afruan gjatë merkatos verore, por që nuk po arrijnë ta mbajnë skuadrën në elitën e futbollit italian. Mes emrave të përmendur nga tifozët ishte edhe ai i Bogdanit, i marrë me bujë në fillimin e sezonit, por që ka zhgënjyer me lojë dhe me mungesën e ndihmës në repartin e avancuar, ku ka shënuar vetëm një gol. Edhe ndërhyrja e presidentit Spineli nuk i ka qetësuar ultrasit, të cilët i kanë bërë thirrje atij që të largohet dhe t‘ua lërë klubin investitorëve të tjerë. Më pas, ata kanë vazhduar me thirrjet kundër lojtarëve, duke i ftuar një pjesë prej tyre të largohen sa më parë dhe të mos zbresin në fushën e lojës në tri ndeshjet e fundit të kampionatit.
Një situatë e tillë duket se ka bindur përfundimisht Bogdanin, që t‘i japë lamtumirën Livornos në përfundimin e këtij sezoni. Sulmuesi shqiptar vështirë se do të pranojë të qëndrojë te kjo skuadër, edhe nëse sigurohet mbijetesa në Serinë A, pasi nuk ka pasur asnjëherë një raport të mirë me ultrasit, të cilët janë ndër më problematikët në Itali. Por duket e vështirë në të njëjtën kohë që ai të kthehet te Kievo, ekipi që zotëron kartonin e tij. Ndonëse veronezët do të rikthehen në Serinë A, drejtuesit e skuadrës nuk e shohin më me sy të mirë goleadorin shqiptar, pasi ai refuzoi aktivizimin në Serinë B gjatë edicionit të kaluar dhe kërkoi transferimin e tij. Situata komplikohet edhe më shumë nga rendimenti që Bogdani ka pasur në këtë sezon, ku ka luajtur pjesën më të madhe të ndeshjeve si zëvendësues, duke shënuar vetëm një gol të pavlerë ndaj Juventusit. Sipas mediave italiane, sulmuesi mund të pranojë të kthehet në Serinë B me një prej ish-skuadrave të tij, Salernitanën, e cila dëshiron të ndërtojë një ekip pretendent për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, situata do të qartësohet vetëm pas përfundimit të edicionit aktual dhe shitjes së Livornos te një grup i ri investitorësh gjatë verës.