E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, fatkeqësia më e madhe e Lionit

Barcelonë - Lioni padyshim ishte një nga skuadrat më të pafata nga shortit i hedhur për 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Francezët për këtë u bindën plotësisht mbrëmë pas ndeshjes së kthimit të këtij turi në Barcelonë. Skuadra e Pep Guardiolës arriti të shkatërronte me rezultatin 5-2 kampionët e Francës, duke i nxjerrë automatikisht ata jashtë kompeticionit më të madh të klubeve, edhe falë barazimit 1-1 në Lion.

Serinë e golave për Barcelonën do ta hapte francezi Tierri Henri në minutën e 25-të me një gol klasik të tijin. Dy minuta më vonë është po ky futbollist që dyfishon rezultatin. Pa u ambientuar akoma me golat e shënuar nga Henri, është Leo Mesi që përplas për të tretën herë topin në rrjetën franceze. Samuel Eto shënon golin e katërt në minutën e 43-të pa rënë akoma vrulli spanjoll.

Lioni arriti të reagonte vetëm një minutë pas pësimit të golit të katërt, duke shënuar me Makoun. Braziliani Zhuninjo shënon golin e dytë për miqtë menjëherë sapo fillon pjesa e dytë, duke krijuar iluzionin se do të ndryshonte rrjedha e takimit.

Por, skuadra e Barcelonës mbrohet mjaft mirë, duke arritur të ruajë rezultatin 4-2 deri në minutën e 90-të. Në këtë minutë është Seidu Keita që shënon golin e pestë për katalanasit duke volur gjithçka në këtë përballje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›