E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona luan sot me Getafen

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka paralajmëruar se asnjë skuadër në historinë e futbollit nuk ka qenë në gjendje që të përmbysë disavantazhin prej 10 pikësh në kampion. Tekniku katalan vazhdon të shfaqet i ekuilibruar përsa i takon shanseve të skuadrës së tij për të fituar titullin, edhe pse diferenca e “blaugranave” nga Reali i Madridit është ngushutuar në vetëm 4 pikë. 

“Po flasim për Realin e Madridit dhe për rikuperimin e disavantazhit prej 10 pikësh. Zotërinj, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori, askush nuk ka arritur ta realizojë një përmbysje të tillë. Aktualisht diferenca ka zbritur në 4 pikë, megjithatë ky objektiv mbetet shumë i vështirë. Nuk më intereson historia apo llogaritjet matematike”, u shpreh Guardiola. 

Guardiola ka kërkuar përqendrim maksimal pasi Barcelona luan sot me Getafen, skuadër që i mposhti 1-0 në ndeshjen e parë të luajtur në nëntor 2011. Me një fitore katalanët do ta shkurtonin në vetëm 1 pikë diferencën nga kreu, për të pritur më pas rezultatin e derbit ndërmjet Atletikos së Madridit dhe Realit.

“Nuk e mendoj se çfarë mund të ndodhë nëse i afrohemi edhe më shumë Realit. Jam i përqendruar vetëm te ndeshja me Getafen, ndërsa më pas na pret një sfidë e vështirë me Levanten, një skuadër që lufton për Champions League. I kam thënë lojtarëve që të mos lëshojnë për asnjë moment deri në fund të sezonit dhe kam kërkuar më pak të qeshura dhe më shumë vrapime në fushë”, deklaroi ai.

Në fund drejtuesi i stolit të Barçës foli edhe për sfidat gjysmëfinale në Champions League me Çelsin, me ndeshjen e parë që do të luhet më 18 prill, duke shprehur besim te forca e skuadrës që drejton, që në katër vitet e fundit ka luajtur tre herë në finale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›