E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetie Kasaj e teta ne Europian

Fetie Kasaj ka qenë peshëngritësja e parë elitare shqiptare që ka hipur në pedanë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Antalia të Turqisë, nga delegacioni kuqezi që ka në total 12 peshëngritës.
Kasaj konkurroi në baterinë “A” për femra të peshës deri në 53 kg, peshë të cilës iu rikthye pas 5 vjetësh, duke u renditur e teta në dygarësh. Në pozicionimin jashtë zonës së medaljeve për peshëngritësen shqiptare ka ndikuar paraqitja jo e kënaqshme në stilin e shkëputjes.
Në fakt, ajo realizoi me sukses vetëm një provë, me 78 kilogramë në shtangë, në tentativën e dytë, ndërsa dështoi në provën e tretë me 81 kg. Paraqitja në shtytje ishte më e mirë për Kasajn, që e mbylli konkurrimin në vendin e pestë me 108 kg të ngritura që në provën e parë, ndërsa dështoi në dy provat e tjera me 110 dhe 111 kg.
Në dygarësh, Kasaj ngriti 186 kg, duke u klasifikuar e teta, 5 kg më pak nga sa kishte deklaruar në fillim të garës. Europiani në Antalia është shumë i rëndësishëm për grumbullimin e pikëve për peshëngritëset femra, ku pas Kasajt do të konkurrojnë Begaj, Ruci e Karaj dhe aty do të vendoset sa shtangiste shqiptare do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, “Londër 2012”. Ndërsa për meshkujt, ku spikat rivaliteti ndërmjet Godellit dhe Caljes në peshën 69 kg, ky aktivitet është thjesht një test, pasi ata i kanë siguruar katër bileta për në olimpiadë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›