E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, makineri e golave

Përveç që ka bërë startin më të mirë në histori të klubit pas dhjetë xhirove të para në La Ligë, Barcelona ka realizuar 32 gola, njësoj sikurse Real Madridi në stinorin e shkuar, kur thyen rekordin prej 121 sosh. Gjiganti katalan tani mund të synojë të tejkalojë shifrën e shënimeve nga rivali i përbetuar, njëkohësisht kampioni në fuqi.

121 golat e shënuara nga Real Madridi sezonin e kaluar ishin një rekord më vete sa u përket finalizimeve gjatë një sezoni në La Liga.

Ndodhi kjo edicionin e kaluar, kur Los Blancos thyen rekordin e mëparshëm që mbahej nga vetë ata në kohën kur skuadra drejtohej nga John Toschak në vitin 1990, si dhe iu afruan rekordit absolut në Evropë, që mbahet nga ekipi anglez i Aston Vilës me 128 gola të shënuara në edicionin e largët 1930.

Skuadra e Jose Mourinhos në javën e 10-të të La Ligës të sezonit të kaluar kishte shënuar 32 gola, e njëjta shifër e realizuar edhe nga Barcelona e Pep Guardiolës, por që në fund u ndal në shifrën e 114 golave. Këtë vit, gjiganti katalan i drejtuar nga Tito Vilanova ka arritur të njëjtën shifër në javën e 10-të dhe kështu ka shtuar mundësinë ta thyejë ose të paktën ta barazojë rekordin historik të rivalit të përbetuar, njëkohësisht kampionit në fuqi.

Një mesatare 3.2 gola në ndeshje do t’i lejojë Barcelonës, sigurisht nëse matematika funksionin edhe në futboll, të arrijë në kuotën e 121 golave, pra të barazojë rekordin e Realit.

Ritmi i jashtëzakonshëm me të cilën Barcelona e ka nisur këtë sezon, me një rekord historik prej 9 fitoresh në 10 javët e para, ku vetëm Lionel Mesi ka shënuar 13 gola, është një sinjal që të kujton shprehjen aq shumë të përdorur në botën e sportit: “Rekordet janë bërë për t’u thyer”.

Rezultatet e Barcelonës:

Barcelona-Sociedad 5:1

Osasuna-Barcelona 1:2

Barcelona-Valencia 1:0

Getafe-Barcelona 1:4

Barcelona-Granada 2:0

Sevilla-Barcelona 2:3

Barcelona-Real M 2:2

La Coruna-Barcelona 4:5

Vallecano-Barcelona 0:5

Barcelona-Celta Vigo 3:1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›