E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekip si i Zemanit

Është pak e vështirë t’i zësh besë kësaj Rome edhe kur fiton dhe luan bukur. Ndaj Palermos në “Olimpiko” ishte një futboll përrallor, ndoshta më i bukur sesa ai i Barcelonës, por pa yjet e spikatur katalanas.
Rezultati 4-1 bëri që verdhekuqtë të jenë tani në kuotën e 17 pikëve, në vendin e gjashtë në renditje, vetëm një pozicion poshtë Lacios, rivales brenda “Qytetit të përjetshëm”.
Përtej golave të Françesko Totit, Pablo Osvaldos, Erik Lamelës dhe Matia Destros dhe përtej ndonjë gabimi të Ujkanit, Roma është skuadra që shënon dhe pëson më shumë sesa të gjitha skuadrat e tjera të Serisë A.
Me 26 gola të shënuar e 20 të pësuar nuk ka shoqe dhe këtu paraqitet tërësisht me fytyrën e trajnerit të saj, Zdenek Zeman, këtij çeku të veçantë e të jashtëzakonshëm, që nuk bën lehtë kompromise me parimet e tij dhe që klubi roman do të bënte mirë t’i jepte më shumë kohë në dispozicion.
Është e vështirë të parashikosh se ku do të arrijë ky ekip, me potencial të madh, por edhe me mjaft ndryshime dhe lojtarë të rinj në organikë. Veçse, me një trajner që ka ditur të bëjë mrekullira në klube të tjerë, edhe për Romën mund të ketë ditë të lumtura.
Champions League është 6 pikë larg, pasi vendi i tretë mbahet nga Napoli që ka 23, e megjithatë Zeman dhe Roma e tij duhet të mendojnë për ndeshjen e javës që vjen, për derbin ndaj Lacios.
Një përballje që shpesh prish punë më shumë sesa ndreq, ndërsa verdhekuqtë duhet të luajnë edhe pa Matia Destron që mori karton të kuq menjëherë pasi shënoi golin ndaj Palermos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›