E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barca ekip per rekord

Duket e vështirë që Tito Vilanova të barazojë trofetë e fituar nga mjeshtri i tij, Pep Guardiola, megjithatë ai ka regjistruar rekordin e parë në krye të stolit të Barcelonës. Me fitoren 3-1 përballë Celta de Vigo, katalanët kanë vendosur rekordin absolut të pikëve të fituara në La Liga në 10 ndeshjet e para të kampionatit.

“Blaugranat” kanë regjistruar 9 fitore dhe vetëm një barazim, për një total prej 28 pikësh. Askush deri më tani nuk i kishte arritur këto shifra të frikshme, të një skuadre që duket se i është kthyer dominimit në futbollin spanjoll.

Natyrisht që në ecurinë e saj, Barça është ndihmuar edhe nga fati. Skuadra e Vilanovas ka arritur të fitojë edhe pse në mjaft ndeshje ka vuajtur dhe paraqitjet nuk kanë qenë në lartësinë e duhur.

Por, kjo ka nxitur edhe mendimet se fakti që katalanët kanë fituar kaq shumë pikë, pavarësisht formës jo të mirë, apo problemeve të shumta në mbrojtje, me Puyol e Pique të dëmtuar, e bën edhe më të vështirë misionin për ta ndalur këtë skuadër.

Rekordi erdhi me një lajm të mirë, sepse pas humbjes së Atletico Madrid, tashmë Barcelona kryeson e vetme. Ky është vetëm rekordi i parë sezonal, ndërsa në fund synohet të arritur edhe një tjetër primat.

“Blaugranat” kërkojnë të fitojnë titullin kampion, duke thyer rekordin e golave të shënuar brenda një sezoni, i cili mbahet nga Reali i Madridit, me “merengues” që gjatë edicionit të kaluar realizuan plot 121 rrjeta. Deri më tani, katalanët kanë realizuar 32 gola, aq sa edhe Reali në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›