Barcelona mbetet favorite

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se Barcelona mbetet favorite në përballjen e tyre në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, pavarësisht fitores së Topxhinjve 2-1 në ndeshjen e parë. Por, Wenger shtoi se ekipi i tij tani ka besim se mund të mposhtë rivalin e tyre pas rikthimit nga disavantazhi prej një goli, për të marrë epërsi të lehtë para ndeshjes së kthimit në Nou Camp më 8 mars.
“Barcelona është ende favorite. Por, tani e dimë se mund t’i mposhtim. Ne nuk e kemi ditur këtë vitin e kaluar. Kjo fitore na dhuron mundësinë të shkojmë në Barcelonë me besim”, tha ai.
Pas eliminimit nga përballja e edicionit të kaluar të garës, Arsenali tregoi karakter shtesë dhe besimin që e përmendi edhe Wengeri, duke reaguar pas golit të disavantazhit nga David Villa.
Robin van Persie mposhti portierin e Barcelonës, Victor Valdes në krahun e tij nga një kënd i ngushtë, para se një kundërsulm i shkëlqyeshëm, përfshirë Jack Wilshere, Cesc Fabregas dhe Samir Nasri, të finalizohet nga Andrei Arshavin, i cili shënoi atë që doli të jetë goli i fitores.
“Jam shumë i lumtur. Ishte një natë e veçantë. Ndeshja premtoi shumë dhe e realizoi premtimin. Ishte takim i dy ekipeve të shkëlqyeshme që gjithmonë mundohen të jenë pozitive. Jam shumë krenar sepse të gjithë na këshilluan të luajmë më ndryshe nga natyra jonë. Ne mund të jemi krenarë nga rezultati, por më tepër se krenaria, kjo fitore përforcon besimin në filozofinë tonë”, shtoi ai.
Wenger analizoi sistemin e lojës së Barcelonës. “Kundër Barcelonës ju shpaloseni shumë herë kur ata janë në posedim, por ne kemi qëndruar të bashkuar dhe të fortë. Problemi me posedimin e tyre është se nëse jeni vonuar vetëm për një fraksion, atëherë jeni në telashe. Ju duhet të jeni të ngushtë në mbulim, pasi nëse nuk jeni, do të jetë vështirë. Ne ishim të përgatitur për këtë. Zakonisht kemi topin më tepër se kundërshtari ynë, por e kemi ditur se 60 për qind të kohës ne do të duhet të jemi të përqendruar te ata”, theksoi ai.
Barcelona kompletoi 629 pasime për dallim nga 299 nga Arsenali. Edhe pse lideri i La Ligas dështoi të shpërblejë dominimin e vet, trajneri Pep Guardiola është optimist për ndeshjen e kthimit.
“Mendoj se ishim në rregull. Ne u mposhtëm në ndeshjen e parë, andaj duhet të fitojmë përballjen e dytë. Ne e kontrolluam lojën për pjesën më të gjatë të takimit, por e dimë se ata mund të luajnë mirë në pozicione. Ata janë shumë të mirë, shumë të shpejtë kur kundërsulmojnë. Nëse analizojmë rezultatin, nuk është aq i keq. Jam i kënaqur me paraqitjen, por ne duhet të shënojmë gola në ndeshjen e kthimit. Ata do të sulmojnë, njësoj sikurse edhe ne”, deklaroi Guardiola.