Ranieri nuk largohet

Claudio Ranieri ka insistuar se nuk mendon të ofrojë dorëheqje si trajner i Romës, pas humbjes 3-2 nga Shakhtar Donetsk në ndeshjen e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Giallorossët u vërshëllyen në fushë, pasi Shakhtar u kthye nga disavantazhi prej një goli dhe kaloi në pozitë të mirë për kualifikim në çerekfinale të garës.
Humbja e rrezikoi seriozisht sezonin e Romës pas disfatave të njëpasnjëshme në Serie A nga Inter dhe Napoli, që teorikisht i ka lënë jashtë garës për titull. Por, Ranieri është i vendosur se nuk do të dorëzohet.
“Jo, nuk mendoj rreth kësaj”, tha Ranieri.
“A e shihni një ekip në krizë? Nuk e shoh ekipin në krizë, e shoh një ekip që luan, lufton dhe krijon shumë raste. Ne luajtëm shumë mirë dhe nuk kam arsye të kritikoj futbollistët e mi, pavarësisht humbjes. Ju nuk mund të shikoni vetëm rezultatin kur vlerësoni një ndeshje, ju duhet të shikoni edhe ekipin tjetër. Shakhtar kryesoi grupin e tyre dhe mposhti Arsenalin. Ata janë skuadër me futbollistë shumë të mirë”, përfundoi Ranieri.
Të dielën Roma është mysafire e Genoas në Serie A.
Skuadra e Ranierit gjendet në pozitën e tetë me 39 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.