Barcelona pas Rexhepit

Në një të ardhme të afërt, ka gjasa që përkrah yjeve të Barcelonës ta shohim edhe një futbollist kosovar. Bëhet fjalë për Dardan Rexhepin, i cili është bërë objektiv i ri i klubit katalunas.
Mediat spanjolle dhe ato suedeze të martën shkruanin se gjiganti spanjoll është i impresionuar me kualitetet e sulmuesit kosovar të Malmos, të cilin planifikon që ta transferojë në qershor.
Uebfaqja e njohur suedeze, fotbollskanalen.se shkruan se 19-vjeçari u ka rënë në sy skautëve të ekipit katalunas në kohën kur kishte qëndruar në qytetin La Manga, në muajin shkurt, me përfaqësuesen U19 të Suedisë.
“Barcelona e ka vërejtur talentin e Rexhepit në turneun e La Mangës, në fillim të këtij viti. Rexhepi ka zhvilluar një lojë të shkëlqyeshme me U19 të Suedisë, duke shënuar dy gola, në barazimin 2:2 kundër Norvegjisë”, shkruan fotbollskanalen.se.
Mediat suedeze kanë filluar ta krahasojnë Rexhepin me yllin e Suedisë, Zlatan Ibrahimovic, pasi sulmuesi kosovar mund ta ndjekë rrugën e futbollistit me prejardhje boshnjake, për t’u transferuar në njërin prej klubeve më të mëdha në botë.
“Xavi, Iniesta, Messi e .... Dardan Rexhepi. Ndoshta ky mund të bëhet realitet, sepse Barça planifikon që t’i ofrojë kontratë afatgjatë 19-vjeçarit”, vazhdon shkrimin kjo uebfaqe suedeze.
Ditë më parë, mediat suedeze shkruanin se Rexhepi ka mundësi që të provohet në ekipin e dytë të gjigantit anglez, Manchester United gjatë verës, ku pritet të qëndrojë tri javë.
Rexhepi ka debutuar me sukses në Malmo, duke u shpallur kampion i Suedisë me këtë ekip, në vitin e tij të parë me ekipin e parë. Ai ka shënuar gol të rëndësishëm në derbi me Helsingborgun, pas të cilit ishte bërë hero i Malmos.
Në përgjithësi, sezonin e kaluar prishtinasi pati 9 paraqitje me Malmon, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar dy asistime. Dardan Rexhepi ka kontratë me Malmon deri në vitin 2014. Sipas fotbolltransfers.com, vlera e tij është rreth gjysmë milioni euro.