Bjellorusia në zi

Bjellorusia e ka shpallur ditën e sotme si ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave në metronë e Minskut, ku u vranë së paku 12 persona dhe u plagosën 150 të tjerë.
Autoritetet e kanë cilësuar sulmin e së hënës si vepër terroriste, por motivet mbeten ende të paqarta. Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë.
Shërbimi i fshehtë fillimisht deklaroi se është në kërkim të një personi të bëshëm, jo më shumë se 27 vjeç, me paraqitje jo sllave, si i dyshuari kryesor për sulmin me bombë.
Më vonë, prokuroria në Bjellorusi dha urdhrin për arrestimin e dy të dyshuarve për sulmin vdekjeprurës në metronë e Minskut.
Një nga të arrestuarit besohet të jetë personi, që e vuri bombën në metro.
Të dy të arrestuarit janë shtetas të Bjellorusisë.