E Diel, 1 Nëntor 2026

Man.UTD ne gjysmefinale Ferguson feston Anceloti ne rrezik

Trajneri i Mançester Unajtid, Aleks Ferguson shijon triumfin e skuadrës së tij, e cila ka siguruar biletën për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, pas suksesit 2-1 kundër, Çelsit në ndeshjen e kthimit.

Tekniku skocez i ka thurrur elozhe futbollistëve të tij, që kanë zgjidhur në mënyrën më të mirë një sfidë shumë të vështirë kundër bluve të Londrës, që edhe një herë kanë dështuar përballë rivalëve historikë.

“Mendoj se të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të bukur dhe në të njëjtën kohë shumë të vështirë. Kisha menduar disa zgjidhje, por jam i kënaqur për mënyrën se si shkoi ndeshja. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin dhe zgjidhën në mënyrën më të mirë të gjithë situatën”- ka thënë Ferguson.

Shumë e ndryshme është situata për kolegun e tij të Çelsit, Karlo Ançeloti, që pas eliminimit nga Liga e Kampionëve rrezikon edhe shkarkimin.

“Luajtëm mirë në minutat e para, por më pas vuajtëm presionin e kundërshtarit, ndërsa goli i parë na dënoi shumë. Jemi të gjithë të hidhëruar për eliminimin, por duhet të jemi të aftë të shohim përpara, pasi sezoni ende nuk është mbyllur. Sa për të ardhmen, nuk më takon mua të them nëse do të qëndroj apo jo”- është shprehur Ançeloti, i cili duhet t’i bëjë llogaritë edhe më dështimin e Fernando Torres.

Blerja më e shtrenjtë në Angli ka treguar një formë të dobët dhe është shënjestruar si një nga arsyet e dështimit të Çelsit në Çampions.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›