Ferguson: Reali, klub imoral
Aleks Ferguson i bëri të ditur Realit të Madridit se Mançester Junajted nuk do të ndihet nën presion për të shitur Kristiano Ronaldon. Portugezi shënoi në finalen e Ligës së Kampioneve që "Djajtë e Kuq" fituan përballë Çelsit, por kontributi i tij në triumfin e Moskës u errësua nga spekulimet e mediave spanjolle, që pretendojnë se në fund të sezonit Ronaldo do transferohet në "Santiago Bernabeu". "Nuk mund të themi se Reali i Madridit është i vetmi klub i interesuar për Ronaldon, por të tjerët nuk shprehen kaq hapur", deklaroi Ferguson. "Si mendoni, se klubet e mëdha nuk kanë shprehur interes për lojtarët tanë më të mirë? Sigurisht që e kanë bërë. Megjithatë, pa u futur në situata të pakuptimta si Reali. Ata mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan me gjithkënd, por nuk do t‘ia arrijnë me neve. Nuk kanë moralin e nevojshëm. Rud van Nistelroin dhe Devid Bekamin ua shitëm vetëm sepse donim ne t‘i shisnim". Mediat spanjolle raportonin se "merengues" kanë përgatitur një ofertë prej 80 milionë eurosh për lojtarin dhe besojnë se transferimi mund të kryhet. Ndërkohë që pas finales së Moskës, Ronaldo kishte thënë se do të qëndronte te Junajted, por për të ardhmen nuk mund të flitet me siguri: "Do të shohim se çfarë ndodh në dy javët e ardhshme".