Barcelona s'njeh limite, “poker” ndaj Shtutgartit
TIRANE- Barcelona e Guardiolës ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Champions League, pas triumfit 4-0 ndaj Shtutgartit, në sfidën e zhvilluar mbrëmë në "Kamp Nou". Duket se nuk njeh asnjë limit ekipi katalanas, që falë një futbolli sulmues e spektakolar, ka arritur të neutralizojë për vetëm 22 minuta skuadrën gjermane. Barazimi 1-1 i arritur në ndeshjen e parë i jepte një avantazh të dukshëm Barcelonës, megjithatë spanjollët nuk kanë qëndruar në mbrojtje në pritje të rezultatit, por kanë sulmuar vazhdimisht, duke shënuar 4 gola. Takimi i mbrëmshëm ishte një spektakël më vete, ndonëse në fushë pati vetëm një skuadër, ajo e Guardiolës. Do të kalonin vetëm 13 minuta lojë dhe Lionel Mesi, me një nga magjitë e tij të zakonshme, zhbllokoi ndeshjen. Në mes të katër mbrojtësve, "asi" argjentinas godet në trekëndësh që nga hyrja e zonës dhe topi pushon në portën e Jens Lehman. Pas këtij momenti, Barça është dominuese në fushën e lojës. Minuta e 22-të sjell një tjetër gol, këtë herë me Pedro Rodrigez, që Guardiola e ka preferuar para Zllatan Ibrahimoviç. Mesi hap një top në të majtë për Jaja Ture, ndërsa pasimi i këtij të fundit gjen të lirë Pedron, që mposht portierin Lehman për herë të dytë. Pjesa e parë u mbyll me qarkullimin e zakonshëm të topit të skuadrës spanjolle, ndërsa e dyta nisi me pak më shumë agresivitet nga ana e Shtutgartit. Përpos kësaj, ishte Barcelona që shënoi golin e tretë, sërish me anë të Lionel Mesit në minutën e 60-të. Llogaritë janë mbyllur 2 minuta para përfundimit nga një tjetër talent, Bojan Kërkiç, që është futur në fushë në pjesën e dytë nga Guardiola.
Bordo-Olimpiakos
Në takimin tjetër të luajtur mbrëmë, Bordoja arriti të kualifikohej në çerekfinale të Champions League, duke mposhtur 2-1 Olimpiakosin. Pavarësisht fitores 1-0 të arritur tre javë më parë në Athinë, skuadra franceze nuk e ka patur aspak të lehtë të triumfojë. Madje, ka rrezikuar jo pak në minutat e fundit, megjithatë ka qenë Maruan Shamak ai që ka zgjidhur edhe këtë herë problemet me një gol të minutës së 88-të. Ndeshja nisi menjëherë me gol për Bordonë, pasi Joan Gurkuf gjuajti saktë nga një goditje dënimi thuajse në anësore në minutën e 5-të. Nikopolidhis tregoi që në këtë moment se nuk është në mbrëmjen e tij. Pjesa e dytë u karakterizua nga faulla të shumtë dhe pas vetëm çerek ore lojë, Derbishajër la grekët me 10 vetë. Gjithsesi, Mitroglu arriti të barazojë shifrat në minutën e 65-të, duke ndezur sfidën. Tre minuta më pas është Alu Diarra ai që merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë Bordonë me 10 vetë. Olimpiakos nis të shohë më shumë drejt portës, por kjo deri në minutën e 88-të. Tremulinis fut një kros të bukur nga e majta dhe Maruan Shamak godet saktë me kokë, duke shfrytëzuar edhe daljen e gabuar të Nikopolidhis. Ky gol kalon Bordonë në çerekfinale.
(GSH/BalkanWeb)