Hetimi i zgjedhjeve, sot seanca, PS ne Kuvend
TIRANE- Parlamenti pritet të zhvillojë sot pasdite një seancë maratonë për të vendosur për ngritjen e komisionit hetimor që do të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Nëse në përfundim të seancës nuk miratohen nismat e PS, burime nga kryesia e kësaj partie, të cituara sot nga “Gazeta Shqiptare” thanë se do të fillojë lëvizja ‘Berisha largohu’. Deputetët socialistë vendosën dje, në një mbledhje të shkurtër të grupit parlamentar, që të jenë të pranishëm pikërisht në pikën ku do të nisë diskutimi i nismave të tyre. Burimet nga grupi socialist bënë të ditur se që në fillim, kryetari i grupit, Gramoz Ruçi i ka lajmëruar deputetët se do të hyjnë në Kuvend dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje nga qëndrimet e mëparshme. Nga ana tjetër, edhe sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj i ka sqaruar kolegët e tij, për atë që ndodhi në Komisionin e Ligjeve, ku opozita u detyrua të largohej për shkak të refuzimit nga maxhoranca të neneve të propozuara nga PS-ja për hapjen e kutive të votimit. Ligjvënësit socialistë janë porositur gjithashtu që të diskutojnë të gjithë, duke shprehur të njëjtin qëndrim të përsëritur ditë pas dite, për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve, të kritikuara nga opozita si të manipuluara. Mësohet se kanë regjistruar emrin për diskutim më shumë se gjysma e deputetëve socialistë në sekretarinë e grupit. Mes tyre, burimet bëjnë të ditur se emrat për të diskutuar i kanë regjistruar edhe deputetët e LMN-së, Arben Malaj, Ben Blushi e Kastriot Islami. Përveç diskutimeve të deputetëve të opozitës, edhe deputetët e maxhorancës kanë parashikuar një listë të tyre të fjalimeve, ndaj seanca mund të zgjasë deri në orët e para të datës 19 mars, kur ka lajmëruar vizitën edhe komisioneri i zgjerimit, Stefan Fyle, shkruan sot GSH.
Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë i bëri thirrje dje politikës shqiptare të gjejë kompromisin para ardhjes së tij, në Tiranë.
Socialistët braktisën dy ditë më parë mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Shkak për këtë u bënë amendamentet e propozuara nga 3 deputetët e PD-së, të cilat shfuqizojnë nenin 4 të propozuar nga PS-ja, ku përcaktohej hapja e kutive të votimit në rast se kërkohej verifikim i rezultatit të zgjedhjeve. Po kështu, në bazë të amendamenteve të PD-së, komisioni hetimor nuk do të zgjasë 24 muaj, sipas propozimeve të PS-së, por vetëm 3 muaj. Edhe në një nen tjetër, PD-ja ka ndërhyrë. Pikërisht në nenin 3, ku PS-ja shprehej se opozita duhet të ketë shumicën në komisionet hetimore, PD-ja ka propozuar që këtë shans opozita do ta kishte vetëm në rastin e hetimit për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
(s.g/BalkanWeb)