Pr/ligji: Përgjim telefonave të të burgosurve
TIRANE- Qeveria ndryshon ligjin për rregulloren e burgjeve, duke propozuar përgjimin e telefonatave të të burgosurve. Në draftin që pritet t’i depozitohet për miratim Kuvendit sanksionohet se, bisedat e të burgosurve me anëtarët e familjes nuk do të vendosen nën përgjim. Por, nëpërmjet një fjalie pasardhëse thuhet se këto biseda, edhe mund të përgjohen, por gjithmonë në përputhje me ligjin. “Realizimi i bisedave telefonike, vetëm një bisedë në muaj me familjarët bashkëjetues, me kohëzgjatje jo më shumë se 10 minuta. Këto biseda telefonike nuk mund të përgjohen nga personeli mbikëqyrës. Përjashtimisht, biseda telefonike mund të përgjohet vetëm në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni në fuqi për përgjimet e telekomunikimeve”, - thuhet në këtë projektligj. Ndërkohë, në një tjetër amendament të propozuar sanksionohet se, “e drejta e takimeve vetëm me familjarët bashkëjetues, në një numër jo më pak se një dhe jo më shumë se dy në muaj, që zhvillohen në intervale kohore të rregullta dhe në vende të posaçme që nuk mundësojnë kalimin e objekteve. Këto takime mund të jenë nën kontroll shikimi, por jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës. Përjashtimisht, takimi mund të jetë nën kontroll dëgjimi dhe me regjistrim vetëm në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni në fuqi”. Një tjetër ndryshim në ligjin ekzistues për rregulloren e funksionimit të burgjeve lidhet me çështjen e transferimit të të burgosurve të cilët kanë lidhje me personelin e institucionit ku janë caktuar të vuajnë dënimin. “Në rastet kur evidentohet dhe shënohet në librin e Komisionit të Pritjes se i burgosuri i sapoardhur ka konflikt apo mosmarrëveshje me të burgosur të tjerë ose ka lidhje gjinie a krushqie me personelin e institucionit, menjëherë merren masa për transferimin e tij në një institucion tjetër”, - citojmë nga projektligji.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)