E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Papandreu: Greqia do preferonte zgjidhje europiane

BRUKSEL- Kryeministri Grek Jorgos Papandreu deklaroi nga Brukseli se Greqia do të preferonte një zgjidhje europiane për krizën aktuale në vendin e tij, megjithatë nuk përjashtoi mundësinë për të gjetur edhe zgjidhje të tjera, nëse do të jetë e nevojshme.
Gjatë takimit me presidentin e Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, Papandreu u shpreh se të gjithë opsionet janë të hapura megjithatë ai do të preferonte që Bashkimi Europian dhe vecanërisht vendet anëtare të zones Euro të merreshin me këtë problem, nëse vërtet Greqia do të kishte nevojë urgjente për ndërhyrje financiare në tregje.

“Ne presim që Bashkimi Europian të mund të reagojë ndaj kësaj cështje, dhe kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për krizën” tha kryeministri grek.
Papandreu nuk përjashtoi mundësinë që Athina të kërkojë ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar por përsëriti që vendi i tij do të preferonte ndihmën europiane.

Duke iu përgjigjur deklaratës së kancelares gjermane Angela Merkel për mundësinë e përjashtimit nga zona euro të vendeve me deficit të lartë dhe që përfshihen nga kriza, Papandreu u shpreh se Greqia nuk do të dilte nga eurozona e përbërë nga 16 vende.
Athina shpreson që krerët e Bashkimit Europian do të gjejnë një mekanizëm ndihme për Greqinë në samitin e Marsit që mbahet direkt pas takimit të ministrave të financës, që u zhvillua këtë javë.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›