E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lauka falënderon BIK-un për aksionin

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka pritur sot krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), të cilët i ka falënderuar për aksionin e organizuar për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës.

Ambasadori Lauka ka pritur kryetarin e BIK-ut, myftiun Naim Ternava, që shoqërohej nga Ejup Ramadani dhe Ramadan Shkodra.

Ternava e ka informuar ambasadorin shqiptar se nga aksioni njëjavor, i organizuar nga BIK-ut në të gjitha xhamitë e Kosovës, nga 15 deri më 22 janar 2010, janë mbledhur ndihma në artikuj ushqimorë, higjieno-sanitarë etj, të cilat tashmë janë dërguar në destinacion. Gjithashtu, në këtë aksion u mblodhën edhe 80 000 euro, të cilat pritet të dërgohen së shpejti.

“Lauka, pasi u uroi mirëseardhjen, vlerësoi lart gatishmërinë dhe solidaritetin vëllazëror të Kryesisë dhe të anëtarësisë së BIK-së, në aksionin e organizuar për të ndihmuar financiarisht dhe materialisht familjet e dëmtuara nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës”, thuhet në një komunikatë shtypi të lëshuar pas takimit.

Gjithashtu, ai falënderoi në emër të Qeverisë së Shqipërisë, BIK-un dhe gjithë popullin e Kosovës, për kontributin e dhënë dhe për gatishmërinë e treguar, qysh në fillim, për t’iu gjendur pranë vëllezërve dhe motrave të tyre në zonën e Shkodrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›