Limaj raporton për autostradën, pas dy javësh

Komisioni parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion ka diskutuar sot lidhur me projektin e autorrugës Morinë - Merdar, por pa pjesëmarrjen e ministrit Fatmir Limaj.
Shumë gjëra në lidhje projektin e Autorrugës Morinë –Merdar, duhet t’i qartësojë ministri, ka thënë kryetarja e komisionit, Myzejene Selmani.
Por ajo ka sqaruar se ministri i Transportit, Limaj, ka thënë se nuk mund t’i përgjigjet ftesës para 16 shkurtit, për shkak të agjendës së ngjeshur.
Megjithatë, edhe në mungesë të ministrit, anëtarët e komisionit diskutuan gjatë, ndonëse nuk kishin informatë zyrtare në lidhje me këtë projekt. “Për shkaqe parimore duam të ngremë shqetësimet tona. Mungesa e transparencës, devijimi i trasesë, shpjegime të pa mjaftueshme për shumë gjëra në lidhje me këtë projekt, janë gjëra që duhet t’i qartësoi më shumë para komisionit”, është thënë në takim, njofton shërbimi i iformimit i Kuvendit të Kosovës.
“Pas diskutimeve që u bënë në komision, u vendos që me datë 05. 02. 2010, të ftohet prapë ministri Limaj për të diskutuar çështjet e ngritura”, thuhet më tutje në komunikatë.
Nga ana tjetër, Ministria e Transportit ka thënë se i ishte bërë e ditur komisionit, paraprakisht, se Limaj nuk mund të marrë pjesë në këtë mbledhje për shkak të agjendës së ngjeshur.
Zëdhënësi i MTPT-së, Xhevdet Pozhari ka thënë se MTPT-ja, ka marrë ftesën nga ky komision me 27 janar, dhe përmes një letre ka sqaruar se për shkak të agjendës dhe pamundësisë për ndryshimin e agjendës, ministri Limaj nuk mund të jetë prezent në mbledhje.
“Ne e çmojmë punën e komisionit dhe jemi të interesuar jashtëzakonisht të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha institucionet relevante, njëjtë siç kemi bashkëpunuar edhe në të kaluarën do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Të gjitha hapat që ndërmerren qoftë në raport me projektin e autostradës Morinë-Merdare, por qoftë edhe në raport me punën në të kaluarën që e ka zhvilluar Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Ne jemi të gatshëm konform procedurave ligjore dhe konform të gjitha institucioneve relevante të japin përgjigje dhe të tregojmë përgjegjësinë e duhur”, ka thënë Pozhari, transmeton KosovaPress.
Zëdhënësi i MTPT-së ka thënë se procesi i negocimit për autostradën janë duke shkuar me ritmet e parapara dhe se konkretizimi i marrëveshjes, sipas tij, pritet të bëhet diku nga fundi i shkurtit ose fillimi i marsit.
Negociatat janë duke u zhvilluar me ritmin e paraparë. Ne jemi të interesuar që këto të përfundojnë dhe të konkretizohen me një marrëveshje të suksesshëm dhe të leverdishme. E kuptojmë se edhe opozita në këtë rast dëshiron të ketë informata sa më të shpejta, mirëpo është një agjendë të cilës ne duhet t’i përmbahemi dhe jemi të interesuar që të gjitha procedurat ashtu siç janë zhvilluar deri më tani hap pas hapi dhe me transparencë të plotë t’iu përgjigjemi edhe në të ardhmen”, është shprehur Pozhari.