Bardheblutë e Kombëtares, vetëm një pjesë loje në miqësoren e luksit
Miqësorja e sotme ndaj Milanit ka vënë në lëvizje Shqipërinë, e cila ka përgatitur një përfaqësuese mikse, ku janë alternuar disa nga lojtarët e Kombëtares A me futbollistë të rinj të kombëtares U-21. Grupi i lojtarëve të thirrur nga trajneri Artan Bushati, është grumbulluar gjatë ditës së djeshme në hotel "Dyrrahu" në zonën e plazhit të Durrësit. Të parët që kanë mbërritur në dyert e hotelit kanë qenë disa prej legjionarëve, ndërsa deri në orët e pasdites trajneri Bushati ka pasur në dispozicion të gjithë grupin. Në lojë do të jetë trofeu i "Taçi Oil Albania Reads", por kjo sfidë duket se do të ketë më shumë karakter festiv, për vetë faktin se impenjimi kuqezinjve nuk pritet të jetë si në ndeshjet e Serisë A. Edhe pse konsiderohet si një miqësore luksi për futbollin shqiptar, Shqipëri-Milan vjen në një moment jo fort komod për disa klube kryesore të kampionatit shqiptar, të cilat janë të përfshira në luftën për titullin kampion. Tirana e konsideron veten të prekur nga ky aktivitet, pasi në listën e futbollistëve të grumbulluar janë 4 lojtarë titullarë të saj. Ndaj burimeve të besueshme pranë kampit bardheblu, bëjnë të ditur se drejtuesit e klubit i kanë vënë një kusht trajnerit Bushati: "Aktivizimin vetëm për një pjesë loje ndaj Milanit të lojtarëve të tyre". Kjo kërkesë mbështetet në faktin se Tirana synon të ruajë në një formë fizike të mirë futbollistët e saj, pasi në fundjavë do të ketë një ndeshje shumë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion, atë kundër Dinamos. Kombëtares i është bashkuar edhe Sabino Plaku, por është thuajse e sigurt, që ai nuk do të aktivizohet ndaj yjeve italianë, për shkak se vuan nga një dëmtim i javëve të fundit. Pjesa tjetër e lojtarëve të grumbulluar, mendojnë se përveç kënaqësisë së të luajturit me yje të Serisë A, kjo ndeshje nuk ka asgjë tjetër. Por për trajnerin Bushati, që do të drejtojë këtë ekip kundër Milanit, thekson se kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të mbajtur nën vëzhgim një pjesë të mirë të këtyre futbollistëve, të cilët do të aktivizohen. Kuqezinjtë i janë nënshtruar një seance të vetme stërvitore para ndeshjes, ndërsa për sa i përket 11-shes titullare, Bushati do të mbështetet më shumë në grupin e legjionarëve, që kanë mbi shpinë edhe eksperiencën ndërkombëtare me përfaqësuesen.