Në dyshim, aktivizimi i David Bekhamit
Mes yjeve të shumëpritur të Milanit, të cilët do të zbarkojnë sot në Tiranë, do të jetë edhe David Bekham, ish-futbollisti i Mançester Junajtid dhe Real Madrid, që militon në radhët e kuqezinjve italianë. Ylli anglez konsiderohet si një ndër futbollistët më popullorë dhe njëkohësisht dhe mbreti i marketingut. Kjo nuk është hera e parë e tij në Shqipëri, pasi ai ka qenë pjesë e kombëtares së Anglisë në ndeshjet e 28 marsit 2001 të fituar 1-3 nga anglezët, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2002. Por sipas informacioneve të fundit të faqes zyrtare të Milanit në internet, aktivizimi i yllit anglez në miqësoren e sotme kundër Shqipërisë është vënë në dyshim. Gjithçka i ka bazat te paraqitja e mesfushorit të Kombëtares së Anglisë në seancën e paradites së djeshme të Milanit, ku ai u shfaq duke çaluar. Ndërkohë që sot pritet të bëhet debutimi i mesfushorit tjetër, Xhenaro Gatuzo, i cili rikthehet nga një dëmtim i gjatë, i cili e la jashtë për pjesën më të madhe të sezonit në Serinë A.