E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhezinjtë luajnë sot në “San Paolo”. Konte: Atje na pret “ferri”

TIRANE-Juventusi do të ketë neser në mbrëmje një test tepër të vështirë, teksa do të përballet me Napolin e Maxarrit në stadiumin “San Paolo”. Bardhezinjtë kërkojnë të mbajnë të paprekur kollonën zero të humbjeve, por edhe të ruajnë kryesimin e Serisë A, duke qenë nën kërcënimin e Udinezes dhe të Milanit. Antonio Konte ka arritur të fitojë ndaj Interit dhe Milanit, por ndeshja e sotme duket akoma më e vështirë, duke parë formën e napoletanëve. Për këtë arsye, ai pritet që të hedhë në fushë një formacion shumë të kujdesshëm dhe të orientuar më shumë drejt mbrojtjes. “Nuk jam një tifoz, por trajner dhe jam paguar për të marrë vendime. Më duhet të menaxhoj këtë grup lojtarësh dhe ta çoj Juven përpara, - deklaroi trajneri bardhezi në prag të kësaj sfide. – Është e parakohshme të bësh një krahasim të Juventusit aktual me atë të kohës sime. Unë bëja pjesë në një skuadër që luajti 4 finale radhazi në Evropë, mes Kupës UEFA dhe Champions League. Ne ishim Barcelona në atë kohë, ndonëse shpesh nuk e kuptonim. Ajo Juve duhet marrë si shembull”, shtoi Konte. Në lidhje me takimin ndaj Napolit, tekniku i Juves u shpreh: “Do të jetë ndoshta testi më i fortë i këtij fillim sezoni për ne. E pashë ndeshjen në Mynih, Napoli pati forcë që të rifutej në lojë edhe pse ishte duke humbur 3-0. Për ne do të jetë një tmerr, nuk mendoj se ata do të jenë të lodhur, pasi e dimë sesi Napoli dhe napoletanët e presin ndeshjen kundër nesh”, tha trajneri bardhezi.
Napoli
Në Napoli, sfida e neserme pritet me një vëmendje të veçantë, ndërkohë që trajneri Valter Maxarri ka shprehur fjalët më të mira për trajnerin e Juventusit Antonio Konte. Ai i është rikthyer edhe ndeshjes së humbur 3-2 ndaj Bajernit, pas së cilës, në qendër të kritikave përfunduan Hamshik e Kavani. “Nuk janë aspak në krizë, - tha Maxarri. – E di se çfarë detyrash kanë në fushë dhe sa punë të zezë bëjnë për skuadrën. Ndonjëherë më duhet t’i përshtas në pozicione të ndryshme, në varësi të kundërshtarit”, shtoi ai. Në takimin e neserm, Hamshik pritet të bëjë rolin e një mesfushori difensiv, pasi do të qëndrojë në çdo moment në krah të Andrea Pirlos. “Në ditët e pakta që kemi patur për të përgatitur këtë ndeshje, u përpoqa që të karikoja skuadrën për të bërë paraqitjet që kemi bërë në 99 % të rasteve që kur unë mora drejtimin e këtij ekipi. Napoli-Juve është një sfidë e veçantë, për tifozët tanë është speciale, kështu që luajmë si të barabartë në fushën e lojës”, shtoi ai. Më tej, përgëzime për Antonio Konten. “Është një trajner shumë i zoti, është duke ecur shumë mirë dhe bën një lojë të pëlqyeshme. Bën shumë taktikë, ndërsa ne do të mundohemi të jemi agresivë. Të shohim sa do t’ia dalim”, deklaroi Maxarri.

SERIA A
Dje
Palermo-Bolonja 3-1
Novara-Roma
Sot
Atalanta-Kaljari
Xhenoa-Inter (shtyrë)
Milan-Katania
Çezena-Leçe
Kievo-Fiorentina
Lacio-Parma
Udineze-Siena
Napoli-Juventus
RENDITJA
Juventus 19
Udineze 18
Lacio 18
Milan 17
Napoli 14
Katania 14
Kaljari 13
Bolonja 13
Siena 13
Fiorentina 12
Xhenoa 12
Parma 12
Roma 11
Palermo 10
Kievo 9
Atalanta 9
Inter 8
Novara 7
Leçe 5
Çezena 3.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›