E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi, Rama: PS, derë e hapur. Blushi: Më në fund kthyem majtas

TIRANE- Kongresi i Partisë Socialiste mbylli punimet mbrëmjen e së shtunës, ndërsa 1500 delegatët e tij kanë nisur procedurat e votimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare, programi i ri politik, i përmbledhur në një broshurë prej 92 faqesh nën titullin “Rilindja Shqiptare”, por edhe ndryshimet në statutin e saj.

1500 delegatë të ardhur nga gjithë Shqipëria nisen të votojnë sot për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por edhe anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Punimet e Kongresit u celën ne oren 11:00 te paradites se te shtunes nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, e më pas u prezantuan 4 shtyllat e këtij programi. Në Kongres mbajti fjalën edhe Lideri i opozitës Edi Rama. Punimet vazhduan me përshëndetjet e partive aleate, nga Internacionalja Socialiste, Partia e Socialistëve Evropianë dhe partnerë të tjerë të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Do të ketë edhe  diskutime të lira të delegatëve të PS-së.

Në vijim punimet e Kongresit u moren me diskutimin e ndryshimeve statutore, të cilat do të kalohen nen për nen duke marrë parasysh edhe propozimet e delegatëve. Në fund fare, delegatët nisen votimin për Komisionin e Garancive Statutore dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Burimet bëjnë të ditur se ndër emrat e kandidatëve që janë futur rishtas në këtë forum të lartë është edhe ai i diplomatit, të shkarkuar pak kohë më parë, Dritan Hila.

Por, sërish pritet të jetë pjesë e forumit, ish-kryetari Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi, 64 deputetët, mes të cilëve edhe kundërshtarët e Ramës, etj. Më tej, do të jetë Asambleja e re, e cila do të zgjedhë kryesinë dhe sekretarët që do të jenë stafi më i afërt i kryetarit, Edi Rama.

Ndërkohë, që rezultatet e votimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare pritet të dalin pasditen e së dielë.

BLUSHI: PS U KTHYE MAJTAS
Ora 20:10-Deputeti socialist Ben Blushi u shpreh i kënaqur nga punimet e sotme të Kongresit të PS. Sipas Blushit, PS sot është kthyer totalisht majtas dhe tek idetë.
“Jam i kënaqur nga ky kongres. Kam arsye të jem i kënaqur se pas 2 vjetësh konfliktualë, theksoj 2 vitet e fundit kanë qënë kaotike, kishte pak mendim. Rruga që kishte zgjedhur PS kishte shumë aksion por shumë pak mendim. PS sot është më e majtë se kurrë, nuk është përtej të majtës e së djathtës”.

Blushi theksoi se vlerëson pozitivisht punimet e Kongresit të sotëm ku sipas tij u shkëmbyen qartë ide.

RAMA: PS, PARTI ME DERË TË HAPUR E PA PARAGJYKIME
Ora 19:20 -‘Partia Socialiste është parti me derë të hapur, nuk kemi paragjykime, nuk kemi hapësira që janë të ndara. Kush do të bashkohet me ne le të bashkohet, nuk kemi paragjykime. Duam të realizojmë programin dhe të rilindim Shqipërinë’. Kështu deklaroi Edi Rama në një prononcim për TVNews24 jashtë ambienteve të Kongresit të PS, rreth pyetjes nëse PS lejon hapësira për futjen e partive të tjera në koalicion me të.

Rama theksoi dhe njëherë qëllimin e programit, duke shpjeguar se Shqipëria ka nevojë për një model të ri ekonomik që lejon investitorët e huaj të investojnë në vend dhe funksionimin e shtetit ligjor.
“Për të pasur investime të huaja, duhet model i ri ekonomik në profil prodhimi, shtet ligjor që garanton investimin dhe një administratë që nuk rend pas ryshfetit, por rend pas shërbimit më të mirë”.

Kreu socialist dhe njëherë shprehu qëndimin rreth taksës së sheshtë. “Taksa e sheshtë nuk ka sjellë asnjë rritje të investimeve. Të gjitha janë për t’u diskutuar e sqaruar”.

Më tej, Rama ritheksoi se dhe cështjet e të përndjekurve politikë dhe camëve nuk do jenë cështje elektorale, por përgjegjësi kombëtarë.
Sa i përket ndryshimeve në statutin e PS, Rama u shpreh se ‘nuk janë pasioni im. Ato janë vullnet i anëtarësisë’.

AHMETAJ: PROGRAMI YNË KORIGJON PADREJTËSITË QË KA BËRË PUSHTETI I SOTËM
Ora 17:40-Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj theksoi se programi i PS do të jetë program i të gjithë shqiptarëve ndërsa pushteti i sotëm po favorizon të gjithë klientët e vet.
Sipas Ahmetaj, programi i PS do te korigjojë të gjitha padrejtësitë që janë bërë me taksat. 

ANGJELI: PROGRAMI JO THES ME PARA, POR MODEL I MIRE EKONOMIK
Ora 17:30-Anastas Angjeli, nje nga hartuesit e programit te PS u shpreh per TVNews24 se qëllimi i Kongresit nuk është të shpërndajë thasë me para por të sjellë filozofi për një model më të mirë ekonomik.
Më tej ai shtoi se Kongresi do të jetë një Kongres i hapur dhe sugjerimet që do bëhen do jenë në ndihmë jo vetëm të bashkimit të socialistëve, por të krijimit të një aleance për të ardhur në pushtet.

ISLAMI: KUSH E KRITIKON, RAMA I SULMON SI ‘BERISHIANË’
Ora 17:20-Në një prononcim për shtypin jashtë ambienteve ku mbahet Kongresi i PS, Islami foli ashpër rreth kryesocialistit Edi Rama.
“Rama sot ironizoi Rexhep Mejdani. Pse? Sepse të kundërshtosh mendimet e Ramës ti sulmohesh menjëherë prej tij. Ai tha sot, z Mejdani është hedhur në prehrin e Berishës. Po tani është bërë zakon, në rast se ti bën një kundërshti, ti je hedhur ne prehrin e Berishës. Tezat e bashkimit janë vetënm fjalë të Ramës”.
Sipas Islamit në PS tani anëtarët janë ndarë në 3 grupime, mbështetës së Ramës, kritikë të Ramës dhe Kundërshtarë të Ramës.

MALAJ: THEMELUESIT NË PS DUAN MIRËNJOHJE. RAMA TË LEJOJË DEBATET E LIRA
Ora 16:40-Ndërsa brenda Pallatit të Kongreseve vijojnë punimet e Kongresitë të Partisë Socialiste, jashtë ambieteve, një nga zërat ndryshe në partinë socialiste , Arben Malaj komentoi punimet. Sipas tij, kreu i PS duhet të lejojë debatet e lira rreth programit, ndërsa vlerësoi se jo të gjithë në sallë e mbështesnin kryesocialistin teksa mbante fjalimin.
Më tej, Malaj theksoi se PS i ka të gjitha mundësitë të jetë 2 hapa para partive të tjera. Shqetësim i vetëm, tha Malaj, është jo ardhja në pushtet, por qeverisja e mirë.
“Unë mendoj se PS i ka të gjitha avantazhet të jetë 2 hapa para partive të tjera. Por, kjo kërkon mbështetje maksimale. Kemi një shqetësim jo thjesht të fitojmë, por të qeverisim sa më mirë”.

Malaj komentoi dhe pyetjen rreth largimit te mundshëm të tij nga PS, por tha se ai vetë nuk e a kërkuar kurrë këtë. "Largimi nga PS nuk është zgjidhje, unë nuk kam kërkuar të largohem nga PS. Në PS ka figura dhe njerëz të besuar. Themeluesit duan mirënjohje, PS nuk duhet te jetë një parti që nuk ofron mirënjohje. Përmend këtu, kemi ish-presidentin Mejdani, është një nga njerëzit më të besuar, shqiptarët e duan dhe e respektojnë dhe pse ai është larguar nga mandati. Ne jemi këtu që të punojmë në modernizimin e PS. Qëllimi ynë i përbashkët është fitorja e PS”. 

MAJKO PROGRAMI LEJON ALEANCA DHE ME PARTI TE DJATHTA
Ora 15:40-Pandeli Majko shpjegon se jo të gjithë ata që votojnë PS-në pëlqejnë të gjithë deputetët e saj. Më tej ai theksoi se në PS po qarkullon një fenomen ndërmjet deputetëve, apo anëtarëve të thjeshtë të PS-së që e kanë kthyer pozicionin e tyre në një ledhë , në një pazar personal duke e dëmtuar rëndë partinë. Në lidhje me programin ai tha se e reja në të ka të bëjë më faktin se do të hiqen kufizimet fundore duke i hapur rrugë krijimit të aleancave jo vetëm me partitë e majta por edhe ato të djathta.

ALEATËT: BASHKIM I SË MAJTËS PËR TË ARDHUR NË PUSHTET
Ora 14:39- Fjalën në Kongres e morën më pas edhe aleatët e Partisë Socialiste. Petro Koçi kryetar i PSV91 u shpreh se të majtët duhëet të bashkohen dhe të lënë mënjanë grindjet e vogla. “Na duhet bashkimi i të majtës për të ardhur në pushtet. T’i japim fund zënkave tona të brendshme, që Berisha të mos vjedhë votat si në 8 maj dhe të mos vjedhë më burrat e politikës”, tha ai.

Edhe Kreu i PSD Skënder Gjinushi theksoi rëndësinë e bashkimit të forcave të majta, pasi sic tha ai “Nëse të majtët do ishin të bashkuar nuk do humbin” .

“Të cmontojmë planin qeverisë më të korruptuar, atë të qeverisë së Berishës. Bashkimi i të majtës për të përballuar qeverinë.. Ne si social demokratë na keni në krahun tuja”, vijoi më tej Gjinushi.

Nard Ndoka kryetari i PDK deklaroi në Kongres se "Sot është koha për një koalicion vullneti, pasi vendi ynë ka nevojë për alternativë zhvillimi, ka nevojë për për opozitë aktive”, shtoi ai.

RAMA: TË GJITHË BASHKË PËR NJË RILINDJE SHQIPTARE
Ora 13:00- Fjalën e tij në kongres Edi Rama e nisi me zgjedhjet e 8 majit, prej të cilave tha se, përjetoi edhe gëzimin edhe zhgënjimin.
“Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin, secili prej jush ka shumë për të treguar për frikën dëshpërimin që ka pllakosur shpirtrat e të gjithëve në Shqipëri. Ne përjetuam në 8 maj fitoren e madhe të Shqipërisë që paguan taksa dhe zhgenjimin për vjedhjen e votave të saj”, deklaroi Rama.

Ai nënvizoi se sot është koha për të shpëtuar Shqipërinë nga humnera. E vetmja rrugë sipas tij është ajo që preznaton PS në programin e ri “Rilindja Shqiptare”.
“Sot jemi të vendosur më shumë se kurrë për të bërë bashkë më ju Shqipërinë që duam përmes një PS-je ashtu sic i duhet Shqipërisë. Me ju më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri, do nxisim një valë të re anëtarësimi, me gjithë shqiptarët që duan të largojnë qeverisë. T’i japim krahë Shqipërisë pa borxhe, pa frikë pa plehra. Bashkë për një Rilindje Shqiptare, ta projektojmë bashkë”, theksoi lideri i opozitës.

Ai deklaroi se ky kongres përfaqëson bashkimin, ndërsa tha se askush nuk do përjashtohet nga PS. Duke folur për mazhorancën Rama tha se me ta PS është në luftë, ndërsa nënvizoi se me Rilindjen e Shqipërisë, duhet larguar Berisha, i cili është në agoni. Ai i tha kryeministrit se me regjimin e tij nuk e mposht dot PS.
“Atyre që më sulmojnë nga kampi i regjimit u them se nuk do ta dëmtoni dot PS-në. Nuk do ta gjunjëzoni dot. Nuk do ta blini dot shpirtin socialist. Nuk do ta korruptoni, nuk do na mposhti me baltën tuaj të shpifjeve. Do tu heqim qafe me gjithë hajdutëritë tuaja, borxhet tuaja e padrejtësitë tuaja. Na keni vrarë me plumba! Na keni vjedhur dy herë votat, një herë natën e një herë në sytë e gjithë botës. Nuk do të ketë një herë të tretë!”.

Rama tha se,  “sot Berishës duhet ti kthehet shpifja e shëmtuar që opozita e ka bllokuar integrimin. Nuk mund ta përdorim kurrë flamurin e Evropës sic e përdor Saliu”, tha kryesocialisti.

BUSHATI: TË BASHKOHEMI ME EVROPËN
Ora 12:40- Ndërkohë, pjesën e katër të titulluar “Ribashkim me Evropën” do ta prezantojë deputeti Ditmir Bushati, i cili tha se nën qeverisjen e Berishës Shqipëria humbi lidhjen e saj me BE.
"Shqipëria nën qeverisjen e e Sali Berishës humbi një shans historik, lidhjen me BE-në. Të gjithë jemi të trishtuar edhe pse i merituar për shkak të modelit të dështuar të kësaj qeverisje. Kriza politike është vetëm një pjesë e vogël e çështjeve shqetësuese që janë thelbësore për projektin” Shqipëria si gjithë Evropa”, tha ai.

LESKAJ: E PAPRANUESHME POLITIKA E LËMOSHËS
Ora 12:30 - Pjesa e tretë e këtij programi, e titulluar “Ripërtëritje e shoqërisë” u prezantua nga deputetja Valentina Leskaj, e cila e vuri theksin tek rritja ekonomike, rritja e cilësisë së arsimit, rritja e kujdesit për pensionistët e njerëzit me aftësi të kufizuar.

“Buxheti i Shqipërisë sot është më i ulëti në Rajon, qeveria i ka lënë në baltë qytetarët, në do i kemi në vëmendjen tonë. Besojmë tek familja si institucioni më i rëndësishëm. Kemi politikë të qartë për legalizimet, do dëmshpërblejmë të përndjekurit politik dhe nuk do pranojmë politikën e lëmoshës”, tha ajo.

TAHIRI: LËVIZJA JONË RIKTHIM I DEMOKRACISË
Ora 12:15 - Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Sajmir Tahiri, prezantoi në këtë kongres pjesën e dytë të programit politik të titulluar “Rivendosje e demokracisë”.

Ai tha se sot Shqipëria po vuan nga ç’demokratizimi, prandaj programi i PS ka si qëllim rikthimin e demokracisë. "Do ndajmë qartazi shtetin nga pushteti. Do vendosim standart të ri për korrupsionin. Për ne është e shenjtë shprehja e lirë e mendimit. Do bëjmë partneritet real me shoqërinë civile, kjo është një domosdoshmëri”, tha Tahiri.

Tahiri akuzoi qeverinë për dhunë e presione ndaj medias së lirë, ndërsa shtoi se “ne do ndërpresim dhunën. Nuk do lejojmë favorizimin e qeverisë për media të caktuara, do transformojmë TVSH. Ta largojmë fatin e vendit nga interest e pushtetit. Rilindja e Shqipërisë së re këtë do e bëjmë ne”, tha Tahiri.

KODHELI: PËRBUZIM POLITIKËN E TURPSHME TË BERISHËS
Ora 12:00 - Punimet e kongresit vazhduan me prezantimin e 4 shtyllave kryesore të programit politik të PS-së. Pjesa e parë, e titulluar “Rimëkëmbje e Ekonomisë” u prezantua nga deputetja Mimi Kodheli, e cila në themel të tij vuri angazhimin kundër varfërisë.

“Do heqim taksën e bukës dhe ilaçeve, duam taksën progresive. Do ulim taksat për 95 % të shqiptarëve, ndërsa brenda vitit të parë të qeverisjes do krijojmë 75 mijë vende të reja pune”, tha Kodheli.

Duke deklaruar se PS sot përbuz politikën e turpshme të Berishës, pasi sic tha ajo Shqipëria sot është një vend pa treg të lirë. “Programi ynë ka një përgjigje për pronarët”, tha Kodheli më tej.

KLOSI: PO PROJEKTOJMË RILINDJEN E RE TË SHQIPËRISË
Ora 11:50- Punimet e Kongresit u celën nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili deklaroi se ky Kongres do tregojë diferencën që Partia Socialiste ka nga kundërshtarët e saj politike. Jemi për zgjedhje të lira, për shtet të fortë social, për një Shqipëri europiane, tha Klosi.

“Nder të, jemi në këtë kongres dhe kërkojmë zgjedhje të lira. Ne do t’ju flasim të gjithëve për dallimin që kemi me kundërshtarët tanë. Sot nën drejtimin e Edi Ramës po projektojmë rilindjen e re të Shqipërisë. Partia jonë është e madhe dhe gati të marrë vendime kurajoze në emër të demokracisë. Një parti e bashkuar në luftën për drejtësi, në luftën për të fituar”.

Sipas Klosit, Partia Socialiste ka dallim nga Partia Demokratike. pasi - “Ata ofrojnë një demokraci të refuzuar nga Evropa, një Shqipëri me plehra. Ne besojmë tek administrata publike, respektojmë kushtetutën e shtetin, ata janë mazhoranca e dhunës. Ne besojmë tek Shqipëria, ata tek Saliu, ne besojmë tek vota e lirë, ata gëzojnë votën e vjedhur”, tha Klosi.Punimet e Kongresit u celën nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili deklaroi se ky Kongres do tregojë diferencën që Partia Socialiste ka nga kundërshtarët e saj politike. Jemi për zgjedhje të lira, për shtet të fortë social, për një Shqipëri europiane, tha Klosi.

(d.b/m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Blushi: PS u kthye majtas. Shoferi futi autobusin në rrugë të drejtë Islami e Malaj: Kush e kritikon, Rama i sulmon si ‘Berishianë’ PD: Kongresi i PS, Reality show, ku Rama bën ‘terapi grupi’ Trojka e ambasadorëve në Kongresin e PS Bello: Sot Kongresi për fitoren e zgjedhjeve Programi i PS, zbulohen 92 faqet e para të “Rilindja Shqiptare” FOTO: Nis punimet Kongresi i Partisë Socialiste VIDEO: Kongresi i PS, Rama: Programi ynë, rilindje e Shqipërisë VIDEO: PD: Kongresi i PS, Reality show, ku Rama bën ‘terapi grupi’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›