Bardhi: Mamurrasi e ka forcën për të reaguar
Mamurrasi ka humbur thellë javën e parë dhe disfata në Lushnjë e ka vënë menjëherë në lëvizje presidentin Dedë Ndreca. Ai ka federuar disa lojtarë, të cilët në fakt kishin kohë që stërviteshin te Mamurrasi. Vendimi për qëndrimin e tyre është marrë pak orë para mbylljes së merkatos dhe bëhet fjalë për Kariqin, Bajollarin, Pustinën dhe Cfarkun. Pustina është lojtar me përvojë dhe ka zënë vendin e Gjokesë, që do të luajë me Ilirinë. Trajneri Sinan Bardhi mendon se me këta 4 lojtarë grupi i Mamurrasit forcohet ndjeshëm.
Të katër të ardhurit ditët e fundit pritet të luajnë në ndeshjen e fundjavës me Butrintin, ku Mamurrasi do të kërkojë të bëjë autokritikën e humbjes së thellë në Lushnjë. Do të bëjmë çështë e mundur për ta fituar ndeshjen e dytë. Kemi forcën e duhur për të reaguar dhe besoj se lojtarët e kanë lënë pas krahëve atë humbje të shëmtuar. Ndoshta euforia e krijuar pas paraqitjes së mirë në ndeshjet miqësore ka ndikuar në atë humbje, por tani rëndësi ka që të mos bëjmë gabime të tjera, ka theksuar mes të tjerash trajneri i Mamurrasit, Sinan Bardhi.
