E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani me humor të mirë, nuk e diskuton fitoren me Gramshin

Nga Elton Karaj

Për trajnerin File është hapur një problem në mbrojtje, pasi dje është dëmtuar Mardian Kacollja

Në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku do të zhvillohet edhe ndeshja e kësaj fundjave me Gramshin, verdheblutë kanë zhvilluar dje seancën stërvitore të radhës. Ishin të pranishëm të gjithë lojtarët, ndërkohë që duhet theksuar se rivaliteti për një vend në formacionin titullar është shtuar  shumë. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë dhe të gjithë lojtarët kanë marrëdhënie për tu admiruar me njëri-tjetrin. Ata nën zë shprehen se në ndeshjen e së shtunës nuk do të ketë histori, pasi Elbasani do ta dominojë atë nga fillimi deri në fund, duke marrë 3-pikëshin e parë të këtij kampionati.

Ndeshja e kontrollit Trajneri Ilirian File ka zhvilluar dje edhe një ndeshje kontrolli, ku nga njëra anë ishin titullarët dhe nga ana tjetër ata të stolit. Ndeshja u fitua 3-2 nga titullarët,  por kjo nuk do të thotë që ekipi është në formën optimale para sfidës me fqinjët gramshiotë. Elbasani do të luajë me një skemë sulmuese, ku dyshja e sulmit e përbërë nga Galica dhe Olatunji, do të mbështet nga Endri Dalipi.

Mesfusha pritet të plotësohet nga Gava, Merxha dhe Hila. Por për trajnerin e verdhebluve tashmë shtohet një tjetër problem. Qendërmbrojtësi Mardian Kacollja ka pësuar një dëmtim në fundin e ndeshjes, pas përplasjes me një nga shokët e skuadrës. Kacollja ka mbetur i shtrirë në fushë dhe më pas e ka braktisur atë, ndërkohë që ndeshja u mbyll para kohe. Kacollja doli duke çaluar nga fusha dhe kjo do të thotë se nuk mund të luajë në ndeshjen e radhës, që do të thotë se për trajnerin File ka një problem  të madh.
Presidenti Arben Laze ndjek nga afër stërvitjen
Në tribunën qendrore të stadiumit Ruzhdi Bizhuta ka qenë i pranishëm dje edhe presidenti Arben Laze. Ai ka qenë i shoqëruar nga sekretari i klubit, Florenc Kushi. Laze ka ndjekur edhe ndeshjen e kontrollit që ekipi zhvilloi, duke parë nga afër nivelin e verdhebluve. Pak para përfundimit të ndeshjes ai është larguar nga tribuna, por prania e tij në stërvitje ka qenë domethënëse, pasi do të thotë se ai qëndron pranë ekipit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›