E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bare: Duhet zgjidhje e re

Kreu i qeverisë Sali Berisha nuk ka vullnet për të zgjidhur situatën në të cilën ndodhet vendi. Ky ka qenë konstatimi që ka bërë dje në mbrëmje kreu i PS-së së Tiranës Besnik Bare, si reagim ndaj deklaratave të bëra gjatë ditës së djeshme nga kryeministri Berisha, ku ky i fundit i konsideroi zgjedhjet e 2009 si më të mirat që ka bërë ndonjëherë vendi ynë, duke ftuar njëkohësisht opozitën që të bëhet pjesë reformës zgjedhore. “Është për të ardhur keq që Sali Berisha vazhdon të përsërisë të njëjtën retorikë shterpë, që në këto 20 muaj jo vetëm nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje, por përkundrazi, e ka thelluar çdo ditë e më shumë krizën. Sali Berisha vazhdon t'i konsiderojë zgjedhjet e 2009 si më të mirat. S’e beson më askush. Tashmë për të gjithë shqiptarët është e qartë se zgjedhjet e 28 qershorit u vodhën e u manipuluan rëndë, madje sot, shqiptarët dinë edhe arsyet e vërteta përse zgjedhjet u vodhën”, - tha Bare në deklaratën e vet. Ashtu siç ka bërë më parë Partia Socialiste edhe dje Bare ka theksuar se e djathta i vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Sali Berisha nuk mund të fshihet më, pasi nëse duke djegur fletët i tregoi të madhi e të vogli se është vetëm ai përgjegjësi i vjedhjes së zgjedhësve, duke mos pranuar Rezolutën e Parlamentit Europian për komisionin hetimor, i tregoi të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë se është vetë ai armiku numër një i transparencës”, - shtoi Bare. Prandaj, ka theksuar kreu i socialistëve të Tiranës, sot më shumë se kurrë, shqiptarët kërkojnë një zgjidhje të re, për t'i rikthyer çdo shqiptari dinjitetin, punë dhe një jetesë më të mirë. “Një zgjidhje të re që vendos drejtësinë në vend, drejtësinë edhe për ata 4 shqiptarë të ndershëm e të pafajshëm, që në 21 Janar u vranë mizorisht nga garda republikane e Sali Berishës. Për të gjitha këto arsye, nesër në orën 4, shqiptarët do të protestojnë paqësisht por vendosmërisht, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit””, - tha Bare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›