E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e opozitës, ngritja e çadrave ende pa vendim

SHKRUAN: Fejzi Braushi 18-02-2011 10:52

Pas dy javësh pushim, opozita rikthehet sërish në shesh për të kërkuar një zgjidhje politike për atë që ajo e konsideron si krizë të demokracisë. Sot në orën 16.00 Partia Socialiste ka ftuar qytetarët nga e gjithë Shqipëria që të zbresin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shprehur revoltën e tyre kundër qeverisjes aktuale, në kërkim të një jete më të mirë, si dhe zbardhjen e vrasjeve të 21 Janarit. Pikërisht vrasjet në bulevard gjatë demonstratës së 21 Janarit, do të jenë sërish në qendër të protestës së sotme, pasi i gjithë tubimi do të jetë i lidhur simbolikisht me atë ngjarje.

Organizimi

Prej ditësh deputetët e Partisë Socialiste, por edhe partitë e tjera të opozitës, kanë zbritur në bazë për të sensibilizuar qytetarët nga të gjitha qarqet për t’u bërë pjesë e këtij tubimi. Ndaj, ashtu si edhe herët e tjera, pritet të ketë një prurje të konsiderueshme protestuesish nga rrethet, të cilët do transportohen me autobusë të posaçëm deri në hyrje të kryeqytetit. Më pas ata do të përshkojnë në këmbë disa nga akset kryesore të Tiranës, si Rruga e Kavajës, bulevardin “Zogu i Parë” apo dhe Rrugën e Elbasanit, për t’u drejtuar më pas për në bulevardin qendror të kryeqytetit. Ndërkohë që qytetarët e Tiranës do të mblidhen si zakonisht pranë njësive bashkiake përkatëse dhe për t’u drejtuar edhe ata për në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sheshi përballë Kryeministrisë do të jetë destinacioni final i të gjithë atyre që do të bëhen pjesë e kësaj proteste, ku, siç mësohet, do të mbahen edhe fjalimet përkatëse.

Protestë 2-orëshe apo pa afat?

Protesta e sotme do të kthejë në sheshin përballë Kryeministrisë edhe podiumin dhe foltoren përkatëse, prej nga kreu socialist Edi Rama, por edhe qytetarë të ndryshëm, do të përcjellin mesazhet e tyre për të pranishmit. Podiumi mësohet se do të ngrihet përballë derës së hekurt të Kryeministrisë, duke prerë bulevardin. Prapa tij do të vendoset një banderolë e madhe me fotografitë e 4 viktimave që humbën jetën në demonstratën e 21 Janarit. Ndërkohë që protesta mësohet se do të nisë zyrtarisht jo në orën 13 e 30, siç është bërë në të gjitha protestat e këtij viti, por në orën 16:00. Dhe kjo jo pa një qëllim të caktuar, pasi ora 16 shënon orën kur në demonstratën e 21 Janarit filluan vrasjet e katër qytetarëve. Organizatorët janë kujdesur që edhe vendet ku u vranë demonstruesit, Ziver Veizi, Aleks Nika, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, të mos popullohen nga protestuesit, por të jenë të ekspozuara qartësisht. Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, ka siguruar dje se ka mundur të marrë “lejen” nga Policia e Shtetit për zhvillimin e kësaj proteste, e cila sipas tij do të jetë paqësore. Megjithatë, përveç forcave të policisë, PS ashtu si dhe në rastin e protestës homazh, do të angazhojë një numë të konsiderueshëm njerëzish që do të bashkëpunojnë me uniformat blu për të siguruar rendin dhe qetësinë. Gjithashtu, mësohet se në podium do të ngjiten për të folur vetëm kreu socialist Edi Rama, ndërsa pjesa tjetër do të jenë kryesisht njerëz të plagosur në demonstratën e 21 Janarit, qytetarë të arrestuar nga policia dhe të dhunuar nëpër komisariate, si dhe familjarë të viktimave. Protestuesit do të hedhin parulla dhe do të mbajnë fjalime kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha, si dhe do kërkojnë zbardhjen e ngjarjeve të 21 Janarit. Protesta mendohet se do të zhvillohet për gati dy orë dhe do të jetë paqësore. Burime nga PS dje nuk kanë përjashtuar edhe ndonjë skenar tjetër për të qëndruar më gjatë në bulevard, duke ngritur çadra të ngjashme me ato të grevës së urisë. Por për ta vendosur këtë gjë përfundimisht nesër gjatë ose pas protestës grupi parlamentar i PS-së do të mbajë një mbledhje për të dalë me një vendim. Nëse fiton varianti i zgjatjes së protestës, atëherë ekziston dhe rreziku i një përplasjeje me tubimin e PD-së, që do të mbahet në datën 20 shkurt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›