E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pas një viti kufoma e ish-policit të zhdukur

Foto Buhali kishte vrarë veten në një shtëpi të pabanuar. Shkaku i vetëvrasjes mendohet se është humbja e parave në bixhoz


BERAT- Gjendet e dekompozuar kufoma e një persona që ishte zhdukur pa lënë gjurmë 14 muaj më parë në qytetin e Beratit. Trupi i pa jetë i Foto Buhalit është gjendur mëngjesin e djeshëm në një shtëpi të braktisur. Ai ishte zhdukur në dy mars të vitit të kaluar.


Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Beratit, kufoma e dekompozuar është gjendur në orën 09.30 në Lagjen Kala, në afërsi të banesës së shtetasit Josif Nushi.


Nga këqyrja që i kanë bërë kufomës ekspertët e krimeve si dhe nga identifikimi i të afërmve të tij, rezulton se ajo i përket shtetasit 53 -vjeçar Foto Buhali, banor i lagjes Kala, person i larguar nga familja që nga data 2 mars e vitit të kaluar dhe i shpallur nga policia i humbur.


Kufoma e tij është gjendur rastësisht nga pronari i banesës, i cili së bashku me familjen kanë qenë emigrantë jashtë vendit dhe janë kthyer ditën e djeshme në banesë. Me të marrë njoftimin, ekspertët e policisë, kanë nisur procedurat ligjore për dorëzimin e kufomës në familje. Sipas ekspertëve të krimeve njerëzore, rezulton që Buhali të ketë bërë vetëvrasje.


Një gjë e tillë është vërtetuar edhe në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku gjatë ekzaminimit bëhet fjalë për një vetëvrasje me armë zjarri, pistoletë model 54 e tipit TT e kalibrit 7.62 mm. Arma e zjarrit, e cila është gjendur pranë viktimës, tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për të vijuar më pas me procedura të tjera.


Shtetasi Foto Buhali ka qenë punonjës policie në burgun e Beratit dhe që nga data 05.03.2009 ishte shpallur person i humbur, pas një njoftimi që familjarët e tij bënë në Policinë e Beratit.


Që nga ajo kohë policia e kishte shpallur person të humbur dhe kishte nisur procedurat e kërkimit duke dyshuar për një largim të mundshëm të tij në shtetin fqinjë të Greqisë. Tashmë që kufoma e tij është identifikuar, policia i ka referuar materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për mos fillim të veprës penale.


Foto Buhali, babai i dy fëmijëve 16 e 19 vjeç, është larguar nga banesa më datë 2 mars 2009 për të tërhequr pagën në një nga bankomatet e qytetit, më pas është kthyer në shtëpi rreth orës 16.00 të po kësaj date dhe pasi ka marrë armën e tij të punës, është larguar nga shtëpia duke u thënë familjarëve se do të shkonte në punë.


Ndërkohë që familjarët e dinin atë në punë, Buhali që nga ajo ditë nuk u bë më i gjallë. Familja ka pritur dy ditë dhe më pas njoftoi policinë për humbjen e kryefamiljarit të saj.


Pas kërkimeve policia e ka shpallur të humbur dhe njëkohësisht ka grumbulluar informacion rreth zhdukjes misterioze të gardianit Buhali ku një nga pistat ishte dhe fakti që ai ishte pjesëmarrës i rregullt i lojërave të fatit ku edhe kishte humbur shuma të konsiderueshme lekësh.


Sipas policisë ka qenë depresioni për shkak të humbjes së lekëve në lojërat e fatit ai që e ka çuar Buhalin të ndërmarrë aktin e vetëvrasjes.
Rushan Dosti

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›