Takimi, ish-të përndjekurit ankohen te Topi për dëmshpërblimin
Në takimin me Presidentin e Republikës, ish-të përndjekurit folën për dëmshpërblimin financiar, domosdoshmërinë e vijimit të procesit të kërkimit të eshtrave të të ekzekutuarve apo i nxjerrjes në dritë të fakteve e të vërtetave të regjimit komunist.
TIRANË Një përfaqësi e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politike, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Besim Ndregjoni, i drejtuan dje Presidentit të Republikës (gjatë një takimi të zhvilluar me këtë të fundit) një sërë kërkesash, që kryesisht lidhen me integrimin e tyre të plotë në jetën shoqërore. Ish-të përndjekurit folën për dëmshpërblimin financiar, domosdoshmërinë e vijimit të procesit të kërkimit të eshtrave të të ekzekutuarve apo i nxjerrjes në dritë të fakteve e të vërtetave të regjimit komunist, e deri tek dënimi i së kaluarës diktatoriale dhe i simboleve të saj. "Presidenti i Republikës, si kryetar i Shtetit është garant i Kushtetutës. Ne i kërkuam Presidentit, që në bazë të rezolutës së Këshillit të Europës, të marrë iniciativën që është mbi palët politike, duke parë papërgjegjshmërinë politike të klasës politike, ndaj krimit komunist, që në bazë të rezolutës së Këshillit të Europës, të nisë dënimi i krimit komunist. Në vendet e BE-së, ne nuk shohim ish- zyrtarë të regjimit komunist në parlament, siç ndodh në Shqipëri", - tha Besim Ndregjoni, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës. Ai ka shprehur edhe pakënaqësitë që ish të përndjekurit politik kanë me kthimin dhe kompensimin e pronave, përfshi zvarritjet që i bëhet procesit të dëmshpërblimit. "Ne jemi shumë të pakënaqur nga dëmshpërblimi, që është një vendim ligjor, por kjo maxhorancë nuk po përgjigjet ende", - tha Ndregjoni. Ndërkohë, sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, ish-të përndjekurit shprehën njëkohësisht edhe “bindjen e palëkundur në përkushtimin dhe në përkrahjen e mëtejshme të Institucionit të Presidentit, brenda kornizave kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, për rehabilitimin dhe integrimin e plotë të tyre në të gjitha fushat e jetës dhe shoqërisë demokratike shqiptare”.