Bare i sëmurë: S‘vij në gjyq
armand bajramiAldo Bare, i akuzuar nga drejtësia si kreu i “bandës së Lushnjës” refuzoi dje të merrte pjesë në seancën në ngarkim të tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nga qelia e paraburgimit 313, ku ai mbahet që prej ekstradimit nga Turqia, Albo Bare, përmes një letre,i kërkoi gjykatës të mos zhvillonte seancën në mungesë të tij. Shkak për mungesën në gjyq, sipas Aldo Bares është gjendja e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet dhe pengesat me të cilat ai po përballet për tu takuar me avokatin e tij mbrojtës në burg me qëllim konsultimin për procesin. Prokurorët e çështjes i kërkuan dje gjykatës të mos marrë parasysh kërkesën e avokatit të Aldo Bares, për deklarimin absolutisht të pavlefshëm të akteve të dosjes. Akuza kërkoi po kështu edhe rrëzimin e kërkesës për pushimin e çështjes. REFUZIMI“Unë Aldo Bare, mora dijeni për datën dhe orën e gjykimit por nuk pranoj të zhvillohet gjykimi në mungesën time. Kjo për shkak se: 1) avokati im Vladimir Meçi nuk është lejuar të vijë të më takojë dhe 2) nuk jam mirë nga gjendja shëndetësore”, relatoi para palëve kryesuesja e seancës, gjyqtarja Fatmira Hajdari deklaratën e firmosur nga i pandehuri Aldo Bare. Sipas nënshkrimit, Bare nuk pranonte të gjykohej as në prani të avokatit. Në të njëjtën deklaratë ndodhej edhe një shënim i bluzave të bardha të paraburgimit 313 ku thuhej se “Bare ka probleme shëndetësore, por është i aftë të paraqitet në seancë”. Gjykata rrëzoi pretendimet e Bares duke i cilësuar si joligjore shkaqet e paraqitura nga i pandehuri. “Pretendimet e të pandehurit gjykohen si të pabaza”, u shpreh kryesuesja e gjykimit. Sipas Gjykatës, pengesa e takimit me të pandehurin nuk është pretenduar nga avokati Meçi në seancë dhe se mjekët e 313-ës kanë dhënë konfirmim që Bare mund të paraqitej në gjykim.PROKURORIA Përfaqësuesit e Prokurorisë për Krimet e Rënda kërkuan dje nga gjykata rrëzimin e kërkesën e mbrojtësit të Aldo Bares për pavlefshmëri absolute të akteve të dosjes, si të pambështetur në ligj dhe në prova. Sipas prokurorëve, afatet e hetimit janë zgjatur me vendim të prokurorisë çdo tre muaj dhe ndaj tyre nuk është bërë kundërshtim. Ndërsa porsa i përket pretendimeve të mbrojtjes se Bare nuk ishte njoftuar në kohë me akuzën, prokurorët u shprehën se “aktet e hetimit i janë komunikuar avokatit të zgjedhur me prokurë nga familjarët e tij”. Gjykata do të shprehet në lidhje me pretendimet e avokatit dhe të prokurorëve në seancën e ardhshme. ShëndetiNjë seancë më parë tek Krimet e Rënda, Aldo Bare i njohur edhe si Alfred Shkurti u largua nga salla e gjyqit për arsye shëndetësore. Gjatë zhvillimit të seancës ai shfaqi dobësi dhe plogështi fizike. Bare u ekstradua në 25 nëntor të vitit 2009 nga Turqia, ku mbahej që pas arrestimit të tij në nëntor të vitit 2006.