E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Regjistrimi i popullsisë, përjashtohen emigrantët

 Regjistrimi i popullsisë që do të ndërmerret nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të përfshijë emigrantët. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Shtetit, njëkohësisht kryetari i komisionit shtetëror të regjistrimit të popullsisë, Genc Pollo gjatë një interviste në “Alsat”. Sipas tij, ky proces do të zbatohet për të gjithë ata qytetarë që në momentin e regjistrimit ndodhen fizikisht në Shqipëri. “Ashtu siç mbeten 700 mijë shqiptarë, dhe vetëm një pjesë e vogël prej tyre vjen për të votuar kur zgjidhet Kuvendi, po ashtu ata 700 mijë në masën 99% apo 99.5% gjithashtu do mbeten në Greqi dhe nuk do çajnë kokën të vijnë vetëm për t’i thënë anketuesit të INSTAT që ‘jam edhe unë’. çfarë ka gabim nëse Repoba niset për të regjistruar 3.2 milionë shqiptarë që janë banorë në Shqipëri dhe jo 200 mijë shqiptarë që janë në Nju Jork dhe në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara? Repoba regjistron çdo shqiptar që në momentin që bëhet regjistrimi ndodhet fizikisht në Shqipëri” tha Pollo. Sipas Ministrit të shtetit, ata që kundërshtojnë përfshirjen e deklarimit të përkatësisë fetare dhe etnike në formularin e regjistrimit kanë komplekse inferioriteti. “është një frikë e pasupozuar dhe e bazuar tek paragjykimet, te supozimet dhe tek komplekset dhe më vjen keq ta them, por dhe tek komplekset e inferioritetit” tha Pollo. Një ditë më parë ishte ish presidenti Rexhep Mejdani që kundërshtoi regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Sipas ish kreut të Shtetit, etnia dhe feja, dy elementë të pyetësorit mbi të cilin po zhvillohet debati publik, nuk duhet të përfshihen në variantin përfundimtar. “Në detyrën e Presidentit të Republikës në atë kohë nuk kishte asnjë hezitim për heqjen e elementëve fetarë dhe etnikë nga regjistrimi për shumë arsye dhe për këto arsye unë gjykoj përsëri se regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare dhe etnike, nuk i shërben të vërtetës, por mund ta dëmtojë të vërtetën dhe ngre shqetësime jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe me vendet fqinje”, theksoi Meidani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›