E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi dhe dhjetë legjenda urbane

Genc POLLO Dy javët e fundit kanë qenë, ndër të tjera, një kohë e një debati intensiv mbi regjistrimin e popullsisë dhe banesave (REPOBA) që Qeveria planifikon të bëjë vitin e ardhshëm. Për fat të mire, të gjithë debatuesit pranojnë që ky regjistrim (census quhej ne Romën antike dhe asokohe kufizohej vetëm në listën e meshkujve te rritur e të aftë për luftë) është diçka e dobishme, e mirë dhe e domosdoshme. Të gjithë debatuesit pranojnë se të ardhurat e vjelura nga ky proces do të na japin një panoramë të plotë të realitetit social dhe ekonomik shqiptar, do të na bëjnë më të ndërgjegjshëm për atë që jemi, pra edhe për rrugën deri këtu, por sidomos për rrugën drejt së ardhmes si dhe do të na japin instrumentat për strategji të mirëmenduara dhe para publike të mirëshpenzuara. Jo të gjithë debatuesit e kanë të qartë që 2011-a është i veçantë për nga kompleksiteti i procesit, për nga sasia e informacionit që synohet të vilet, sasi e pakrahasueshme me të shkuarën, si dhe për nga përdorimi masiv i teknologjisë dixhitale, që zë afro 1/3 e buxhetit. Por një pjesë e mirë e debatuesve publikë kanë qenë kritikë me këtë nismë, që nga mbledhja e datës 14 janar e Komisionit Qendror të Regjistrimit, të cilin kam nderin ta kryesoj, prej nga u bë e ditur se pyetësori i këtij regjistrimi do të përmbajë të dhëna për përkatësinë etnike e fetare të të anketuarëve. Për fat të keq vërej se shumë nga kritikat e shprehura burojnë nga mosinformimi, nga paqartësia e nga konfuzioni i gjërave dhe në një masë të caktuar nga prirja pavlloviane e disa anëtarëve të opozitës për të kundërshtuar çdo gjë që thotë Qeveria, pavarësisht nëse “fluturon apo nuk fluturon gomari”. Më poshtë do të rendis dhjetë legjenda urbane të cilat janë në fakt premisa të pavërteta, mbi të cilat kritikët e REPOBA-s 2001 ndërtojnë kundërshtitë e tyre dhe po tentoj të jap një sqarim për secilën. Shpresoj të tërë do të biem dakord që përballja me faktet dhe deridiku me opinionet e bazuara mbi faktet është mënyra më e mirë për t’iu afruar së Vërtetës, sesa përballja me supozimet dhe opinionet e bazuara në supozime, në fobi e në komplekse të ndryshme.Legjenda urbane Nr. 1: Informacioni për përkatësinë etnike nuk na nevojitet. Pa dyshim që na duhet ta kemi pasi është thelbësor që të njohim vetveten. Përbërja etnike e një populli nuk është thjesht çështje e njohurive akademike; ky informacion është i dobishëm dhe i rëndësishëm për shoqërinë dhe shtetin edhe në rastin e një popullsie përgjithësisht etnikisht homogjene. Këto të dhëna (etninë dhe fenë) Shteti shqiptar i ka mbledhur fillimisht në vitin 1923 dhe në mënyrë më të plotë më 1930. Vendet e BE, SHBA e më gjerë e përfshijnë rregullisht këtë pyetje. Një informacion objektiv dhe realist mbi numrat e pakicave është, ndër të tjera, edhe një kontribut për marrëdhëniet miqësore dhe korrekte midis grupit etnik kryesor dhe çdo grupi tjetër. Legjenda urbane Nr. 2: Informacioni mbi përkatësinë fetare nuk na nevojitet. Mendoj që edhe ne, ashtu si dhe gjithë vendet e tjera, na duhet të dimë se çfarë vërtet besojnë shqiptarët. Feja është një element themelor i individit dhe shoqërisë dhe të mos informohesh për të do të thotë ta injorosh atë, çka është e papranueshme sot. Argumenti se kemi një numër të madh ateistësh apo agnostësh si pasojë e Ndalimit Komunist të Fesë që nisi në vitin 1967 dhe prandaj nuk është normale që të pyesim sot , duhet të kthehet në të kundërtën e tij. Në fund të fundit, feja është një çështje private për individin por edhe çështje e rëndësishme për komunitetin dhe prandaj Shteti ynë duke mbetur laik nuk mund te jetë i çinteresuar. Legjenda urbane Nr. 3: Mbledhja e informacionit për fenë dhe etninë është një dhunim i të drejtës kushtetuese.Nuk është i tillë, përkundrazi, është plotësisht ligjor. Por në respekt të së drejtës kushtetuese të qytetarit, çdo i anketuar, nëse dëshiron, mund të refuzojë të përgjigjet për këto pyetje. Anketuesi ia bën paraprakisht të qartë këtë çdo personi të pyetur dhe pyetësori përmban një kutizë të posaçme për këtë rast, në rubrikat etni dhe fe. Legjenda urbane Nr. 4: Pse na duhet ky regjistrim, kur kemi Regjistrin Kombëtar Civil, në bazë të të cilit shteti lëshon letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Janë dy gjëra të ndryshme. Në Regjistrin Kombëtar Civil figurojnë, në çastin që po shkruaj këto radhë, saktë 4. 247.426 shqiptarë. Prej të cilëve, në mënyrë empirike, ne konsiderojmë se vetëm 3.3 milionë janë banorë rezidentë në Republikë. Kaq dimë në kushtet e emigracionit, shpesh të parregullt sidomos në vitet ’90. Por është tjetër gjë të dish numrin e shtetasve dhe gjeneralitetet e tyre, është krejt një tjetër gjë, dhe këtë të fundit synon REPOBA, të dish fillimisht për secilin e pastaj përmes shifrave të përmbledhura statistikore për të gjithë, ku dhe me ç’cilësi jeton, çfarë të ardhurash ka, arsimimin dhe gjendjen shëndetësore e të tjera si këto. E theksoj përmes shifrave të përmbledhura statistikore pasi të dhënat individuale nuk kanë vlerë juridike, mbulohen nga sekreti shtetëror dhe mbrojtja e të dhënave personale. Legjenda urbane Nr. 5: A është i rrezikshëm deklarimi i rremë i përkatësisë etnike?Mendoj se jo. Pasi ne nuk jemi as në shkurt të ’91, kur shqiptarët ngjisheshin kapicë, nga kuverta në direk, në anijet e kapura në portin e Durrësit, dhe as në ’97-ën, ku synonin të iknin nga vendi i tyre thjesht edhe për arsye sigurie. Në kushte të një shoqërie të demoralizuar çdo manipulim i njerëzve bëhet i lehtë. Por sot jemi në një periudhë ngjitjeje dhe përmbushjeje. Edhe si zhvillim ekonomik kemi avancuar shumë, jemi duke u pasuruar si shoqëri, aq sa edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk na quajnë më ndër vendet me të ardhura të ulta, por prej një viti na kualifikojnë si vend me të ardhura të mesme. Do të shtoja anëtarësimin në NATO, avancimin e shpejtë drejt BE-së dhe situatën e re në rajon, përfshi edhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto dhe të tjera, bëjnë që çdo shqiptar të ndihet më i qetë, më me vetëbesim dhe më sovran. Prandaj, unë do të thosha, që asnjë prej tyre nuk ka pse të motivohet për të deklaruar diçka të ndryshme nga ajo që është. Dhe një detaj tjetër: ka ndodhur që shqiptarët e emigruar në vitet ’90 në Greqi, e kanë ndërruar emrin nga Kasëm në Kosta, për të siguruar një leje qëndrimi, apo për një mundësi më shumë punësimi. Por asnjë banor i këtij vendi, i pyetur nga REPOBA për përkatësinë e tij etnike, nuk ka asnjë lloj motivi apo incentivi që të deklarojë diçka tjetër, sepse këto të dhëna mund të jenë personale në momentin që deklarohen, por më tej, bashkë me shumë të dhëna të tjera, hidhen në kompjuter si pika e ujit në det, anonimizohen, shndërrohen në shifra të agreguara dhe rezultate statistikore, të cilat, siç thashë me lart, mbulohen nga sekreti shtetëror dhe asnjë deklarim nuk mund të përdoret për diçka që lidhet me deklaruesin. Pra nuk mund të ketë asnjë lloj pasoje, të mirë apo të keqe, për të anketuarin. Legjenda urbane Nr. 6: Nuk mund të pyeten fëmijët e mitur për etni dhe fe për më tepër kur një pjesë e tyre kanë lindur nga martesa të përziera Asnjë anketues nuk do të pyesë të miturit për fe, etni e gjëra të tilla. Këtë përcaktim do ta japin prindërit (ose sipas rastit kujdestarët ligjorë) Kështu ka qenë gjithmonë praktika e regjistrimit; kështu shprehet legjislacioni ynë i ri e i hershëm, i cili këtë normë e ka huazuar, si dhe shumë vende të tjera, nga Kodi i Napoleonit i dy shekujve më parë. Legjenda urbane Nr. 7: REPOBA do të deformohet nga përfshirja e emigrantëve në vende si Greqia, pasi ata kanë ndërruar emrin, fenë dhe gjeneralitetet vetjake. Nuk mundet, edhe sikur të duam, që REPOBA të regjistrojë shqiptarët që banojnë në Greqi, Itali apo SHBA, për të njëjtën arsye që një polic shqiptar nuk mund të arrestojë një vjedhës makinash në Selanik, Milano, apo Bronks, New Jork: sepse është territor nën një tjetër juridiksion. Nga ana tjetër, çdo diplomat, biznesmen e në përgjithësi shtetas i huaj, i cili prej 12 muajsh banon këtu në Tiranë apo gjetkë, do t’i nënshtrohet REPOBA-s ( dhe nuk do të përfshihet ne censusin e vendit të tij). Pra është pa bazë frika nga regjistrimi i “pseudohomogjenëve” dhe nga ndryshimi artificial i strukturës etnike.Legjenda urbane Nr. 8: Nuk mund të ketë kuptim REPOBA pa emigrantët, këtë pjesë e rëndësishme tonën. Ashtu siç bëjmë zgjedhje parlamentare një herë në 4 vjet, pa pritur që të kthehen në vendlindje të gjithë nga gati 1 milion shqiptarë të emigruar do të bëjmë edhe REPOBA-n. Ideja e kthimit të të gjithë emigrantëve është jo realiste dhe po t’i qëndrojmë fort logjikës së kësaj legjende urbane i binte që të mos bënim fare as zgjedhje dhe as census. Legjenda urbane Nr. 8: Pyetjet sensitive janë imponuar nga BE-jaBE nuk e imponon këtë gjë. Por BE (ashtu si edhe në shumë fusha të tjera) në fushën e census-it vendos standarde, të cilat zbatohen në të gjitha vendet anëtare, kandidate dhe aspirante. Këto standarde parashikojnë mbledhjen e informacionit mbi etnitë dhe fenë. Dhe këtë qëndrim e bëri të qartë edhe REPOBA e para 10 viteve, por qeveria e asaj kohe, nuk e mori parasysh. Sot një dekadë më vonë besojmë që mund dhe duhen plotësuar. Legjenda urbane Nr. 9: Ne bëjmë regjistrimin me këto pyetje, kur asnjë vend i BE-së nuk e bën. çdo vend i BE-së një herë në dhjetë vjet bën regjistrimin e popullsisë dhe i ka të përfshira këto pyetje në pyetësorin e vet. E kam mbi tavolinë pyetësorin e Irlandës (census 2007, pyetjet 14, 15, 16, 17) Rumanisë (census 2002, pyetjet 15, 17), Hungarisë (census 2001, pyetjet 23.1, 23.2, 24), Lituanisë (census 2001, pyetjet 32, 33), Kroacisë (census 2001, pyetja 23), Sllovenisë (census 2002, pyetja 29, 30), Britanisë së Madhe (census 2007, pyetja 12, 13, 14) Bullgarisë (census 2001, pyetja 14, 16) e kështu me radhë. Të tëra vendet, edhe ato me pakica etnike, shumë më të mëdha se ato të Shqipërisë, pa asnjë dyshim, mbledhin të dhëna për fenë dhe etninë. Madje ndonjë vend si Britania e Madhe, përveç këtyre çështjeve pyet edhe për racën. Por kuptohet që janë pyetje opsionale, ose ndryshe e thënë, i anketuari, ka të drejtë të mos përgjigjet. Legjenda urbane Nr. 10: Kjo iniciativë u shpall në janar gjatë përmbytjes në Nënshkodër dhe para miratimit të rezolutës së KiE-s për situatën politike në vend. Një nga betejat më të vështira të homo sapiens-it ndodh kur teorive të konspiracionit u kundërvihesh me argumente logjikë. Megjithatë unë do të përpiqem. Deri në javën e parë të janarit, kemi punuar me INSTAT-in, për t’i dhënë dorën e fundit pyetësorit. Dhe me ta pasur atë gati, ia dërguam Komisionit Qendror të Regjistrimit, në mënyrë që anëtarët të kishin mundësi ta shqyrtonin. Data 14 janar paradite, ishte thjesht e përcaktuar kohë më parë në axhendën time. Asgjë më shumë se kaq. * Ministër Shteti dhe kryetar i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›