Energjia e solidaritetit shqiptar
Ylli Asllani Janari i këtij viti regjistroi në memorien shqiptare, krahas bojkotit të pakontrollueshëm të z. Rama, edhe një mbrapshtësi tjetër, por këtë radhë si pasojë e forcave të verbëra të natyrës: Përmbytjen e një rajoni shqiptar nga furia e ujërave të pazakonta. Reagimi ende vazhdonSi për sfidë të kësaj mbrapshtësie, po vazhdon ende edhe sot solidariteti i të zgjedhurve vendorë dhe qytetarëve të krejt vendit me banorët e zonave të përmbytura, megjithëse tashmë jemi në fazën e rikthimit të normalitetit. Ndihma e tyre në të holla, ushqime, pajisje e veshmbathje, po i afrohet vlerës 1 milion dollarë.Duket se bashkë me këtë kontribut, ata ofrojnë njëkohësisht edhe një përkujdesje ndaj imazhit të Shqipërisë, kur ajo po hedh hapat e fundit të negociatave me Bashkimin Evropian.Në retrospektivë… Sapo isha kthyer nga Shkodra, ku Kryeministri Berisha dha garanci të plota për banorët e zonës së përmbytur se, Qeveria shqiptare është e aftë dhe ka marrë të gjitha masat për tejkalimin e kësaj situate tejet të vështirë. Ndërkohë, mbi 300 përfaqësues e të zgjedhur lokalë me iniciativën e 3 shoqatave vendore të Shqipërisë, kishin shkuar vullnetarisht në mbështetje të operacionit të shpëtimit të jetës njerëzore për të ndihmuar realisht homologët dhe banorët e zonave të përmbytura duke ofruar ndihmë, por më së shumti për të shtuar humanizëm në aksionin e madh të Qeverisë…. Ata u rikthyen dhe vazhdojnë të jenë sërish aty me ndihmat e tyre konkrete.… “Në vitin 2003, si pjesëmarrës në një simpozium ndërkombëtar, e kisha të vështirë për të paraqitur përvojën shqiptare pas viteve ’90, rreth temës së vullnetarizmit dhe solidaritetit në shoqëri…” më tregonte ato momente një miku im.Sendërtimi i vlerave njerëzore në demokraciKa ardhur koha për një verifikim të ri në raportet midis individit dhe shoqërisë, shtetit dhe shoqërisë civile si dhe qeverisjes qendrore dhe asaj vendore. Në stadin aktual të demokracisë sonë, gjesti i të zgjedhurve vendorë, me sa duket po sinjalizon se një mentalitet i ri po bëhet promovues për rishikimin e vlerave humane. Gjest i cili po vë në lëvizje solidaritetin qytetar në krejt territoret shqiptare, si një nga tiparet më fisnike të një shoqërie të emancipuar.Shembulli i vitit 1999, me pritjen emocionale të vëllezërve kosovarë, pavarësisht përmasave të tij, duket se nuk mjaftoi që humanizmi dhe solidariteti të shndërroheshin, nga vlerë patriotike, në një normë qytetare të shoqërisë shqiptare. Kështu, solidariteti, ky mekanizëm i brendshëm i konstruksionit shpirtëror të qytetarëve shqiptarë, dukej pothuaj i ngurtësuar për vite me radhë. Ndofta kështu ndodh në përgjithësi në shoqëritë post diktatoriale gjatë viteve të para të tranzicionit drejt demokracisë… Pas viteve ’90, shoqëria shqiptare e traumatizuar dhe e zhgënjyer nga propaganda e “bashkësisë së vlerave morale” të botës lindore komuniste, dukej indiferente dhe skeptike në qëndrimet e përbashkëta ndaj kërkesave që ofronte inspirimi i ri demokratik në marrëdhëniet ndërkomunitare. Diktatura, nga bota e madhe e vlerave bazë të individit në shoqëri, përzgjodhi me kujdes vetëm ato terma që i interesonin kurthit të vet ideologjik, sikurse ishin solidariteti proletar, barazitizmi, vullnetarizmi, internacionalizmi, kolektivizimi, etj. I shpalli ato si vlerat universale njerëzore dhe luftoi me egërsi vlerat e tjera, të cilat në thelb përbënin esencën morale të një shoqërie të lirë e demokratike. Ka ende një shpurë nostalgjikësh të majmur tashmë, të cilët në mënyrë cinike dhe që jo pa qëllim manipulojnë kujtesën historike për diktaturën me evokimin emocional e fiziologjik të gjithësecilit për moshën e fëmijërisë, rinisë apo gjithsesi për vitet njerëzore që ikin dhe nuk kthehen më. Ata “harrojnë” se këtë sjellje ideologjike shqiptarët e përjetuan si masakrim të lirive dhe të drejtave të individit, dhunë klasore, privim të besimit fetar, izolim absurd nga bota e civilizuar dhe çdo alternativë tjetër ideore, pa përmendur urinë dhe mizerabilitetin e skajshëm që kishte mbërthyer vatrën shqiptare. Madje asnjë prej tyre për gjysmë shekulli, nuk u kujtua të evidentonte pritjen e pashembullt që shqiptarët i bënë hebrejve në vitet e holokaustit të tmerrshëm, apo rastin e bamirëses shpirtërore Nënë Tereza. Shembuj këto që përbëjnë krenarinë shqiptare në botë. Eliminimi, keqpërdorimi dhe tjetërsimi terminologjik i vlerave qenësore të njeriut si dhe servirja si atribut vetëm i doktrinës komuniste i disa prej tyre, padyshim sollën zhgënjim dhe në vazhdim braktisje të këtyre të fundit, së bashku me praktikat e tjera represive antipopullore. Pra me të njëjtën mënyrë dhe sasi me të cilën diktatura i serviri. Kështu u krijua përshtypja se bashkë me diktaturën, qytetarët shqiptarë flakën tej dhe disa cilësi që nuk kanë të bëjnë me regjimet politike, ndërmjet të cilave do të veçonim solidaritetin si një sjellje qytetare e njerëzishme.Megjithatë, përtej doktrinës marksiste, koha ka vërtetuar se solidariteti qytetar ekziston jo si atribut politik, por si rrjedhojë e vetëdijes së brendshme të çdo individi në rrethana shoqërore. Solidariteti lidhet me bashkëjetesën në të njëjtën hapësirë dhe me atë vullnet njerëzor që lind së pari për të përshëndetur njëri-tjetrin. Ai konsolidohet me traditën, virtytet morale, botformimin, rolin e fesë dhe të inspiruesve të vërtetë të emancipimit shoqëror, si dhe me vizionin e përbashkët për të ardhmen. Në këtë mënyrë, ai paraqitet si pjesë e vlerave të çdo shoqërie në çdo kohë e rrethanë, pavarësisht regjimit politik. Solidariteti si pohim i së mirës të përgjithshme të shoqërisë Solidariteti si kategori morale gjeneron kapacitete të afta për të prodhuar energji pozitive për individin, ambientin dhe komunitetin përkatës. Ai duhet vetëm të ngacmohet dhe të vendoset në akord me strukturat e tjera të shoqërisë dhe shtetit.Natyrshëm lind pyetja: Përderisa solidariteti ekziston si atribut i ndërgjegjes shoqërore të çdo individi, kush do ta nxisë atë për ta vendosur në shërbim të vetë qytetarëve për problemet e ndryshme të jetës në kolektiv?Në pamjen e parë duket një sipërmarrje tejet e vështirë, pasi është e vërtetë se në shoqërinë e sotme shqiptare ka interesa vetjake, grupi, partiake, madje edhe të kundërta të cilat nuk mund të instrumentalizohen e tjetërsohen me “ligj”. Ky fakt është normal në shoqëritë e hapura e demokratike. Megjithatë, pavarësisht mënyrës egoiste të jetesës, indiferencës, alternativës dhe bindjeve politike të gjithsecilit, ekziston një trajektore e padukshme që i konvergon të gjithë së bashku në të njëjtin objektiv, i cili është vullneti për një shoqëri të sigurt, të zhvilluar, tolerante dhe të aftë për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të vet për një jetë cilësore. Pikërisht nevoja për të mirën e përbashkët në demokraci mund jetë edhe baza për nxitjen e energjisë së solidaritetit. Si një produkt social i natyrshëm, ky i fundit mund të realizohet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të besueshëm dhe transparent të të gjithë pjesëmarrësve që synojnë zhvillimin, duke përfshirë padyshim këtu edhe shtetin.Shteti në këtë rast bëhet pjesë e këtij partneriteti, duke ofruar një klimë mirëbesimi dhe strategji zhvillimi transparente që garantojnë harmonizimin e natyrshëm të gjithë faktorëve përkundrejt një të mirë të përbashkët në rrafshin rajonal, kombëtar por edhe ndërkombëtar.Faktet tregojnë se qeverisja aktuale, jo vetëm me rastin e përmbytjes, e ka pasur përvojën e një konsensusi dhe solidariteti mbarë popullor. Platforma e saj për zhvillimin e vendit është kuotuar pothuaj në mënyrë plebishitare në të gjitha anketimet, kur vizioni i saj është përputhur me të mirën e përgjithshme të qytetarëve të vet. Integrimi në NATO, pavarësia e Kosovës, kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimi i vizave, modernizimi i shtetit, ritmi e rritjes ekonomike dhe pagave, infrastruktura moderne, rruga e Kombit, etj. kanë krijuar tashmë një klimë aprovimi nga shumica dërrmuese dhe mund të shërbejnë edhe në të ardhmen si certifikatë mirëbesimi e Qeverisë për të qenë partner i sigurt me bashkëqytetarët në realizimin e të mirave të përbashkëta.Solidariteti si mohim i të keqes së përbashkëtLe të kthehemi sërish te muaji janar. Ai kaloi dhe bashkë me të edhe kriza e përmbytjes. Në vazhdim ngelet ende pa zgjidhje bojkoti stërzgjatur i Parlamentit prej fenomenit Rama. Me keqardhje, ky rast i cili sikundër konstaton edhe Këshilli Evropës, nuk bën pjesë në vlerat politike e morale, mbi të cilat bazohet qytetërimi perëndimor. Me një fjalë nuk i përket të mirës së përgjithshme apo aspiratës të shoqërisë shqiptare në integrimin e saj evropian. Përkundrazi, vlerësohet si pengesa e fundit për arritjen në këtë destinacion të qytetarëve shqiptarë.Pra as më pak e as më shum,ë bojkoti i pamotivuar i z. Rama konsiderohet si një deformim dhe e keqe individuale që po shkakton një dëmtim të përbashkët. Si i tillë është destinuar të braktiset kolektivisht sikurse u veprua dikur me apostujt dhe predikuesit e “gjerdanit të vlerave morale të epokës antiperëndimore” në Shqipëri. Sepse solidariteti njerëzor shfaq energji pozitive edhe kur vepron si mohim i të keqes së përbashkët.