E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fondi i Pronave”, kriteri i kompensimit me vendim të posaçëm

 Rregullat dhe kriteret për masën e kompensimit të ish-pronarëve do të realizohen mbi bazën një vendimi të ri nga ana e Këshillit të Ministrave. Projektligji i ri “Për krijimin e fondit special të pronave” i miratuar në parim nga ana e komisionit parlamentar të Ligjeve ka lënë hapësira që masa e kompensimit në vlera monetare të jetë i ndryshëm nga ai që është përdorur në vitet e kaluara. Deputetët e PD-së në komisionin e Ligjeve kanë ndryshuar pikën 1 të nenit 5 të këtij drafti, me arsyetimin se qeveria mund të nxjerrë një vendim të ri duke ndryshuar kriteret e kompensimit, jo më 200 metër, por më shumë. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi e kontestoi nenin 5 pika 1, duke kërkuar riformulimin. “Me këtë ligj që po bëjmë, ne nuk kemi si qëllim që të marrim vetëm ato që kanë synim 200 metra katrorë, por edhe ata që kanë kompensim për 50, 200 metra dhe ato që kanë 2000 metra. Synimi ynë është t’i japim zgjidhje për të gjithë pronarët. Të mos e lidhim vetëm me këtë VKM, sepse krijohet ideja se ky fond mund të krijohet përsëri me ato modalitete, por qeveria mund të nxjerrë vendime të tjera. Pas daljes së këtij ligji qeveria mund ta ndryshojë VKM-në që ka qenë vetëm 200 m2, mund të nxjerrë një vendim tjetër”, theksoi Halimi. Pas kësaj është përcaktuar që qeveria të realizojë një vendim të posaçëm për kriteret e kompensimit. Deputetët e kanë cilësuar të qenësishëm krijimin me ligj të një fondi të tillë, duke e cilësuar dhe si një plotësim të kushteve të ndërkombëtarëve dhe të gjykatës së Strasburgut. Komisioni shqyrtoi të gjithë nenet e draftit dhe la pezull për sqarim tre nene për mbledhjen e radhës.       b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›