Pronat, Çefa “raporton” te KE
BLEDAR HOTIPërfaqësuesit e Këshillit të Evropës kanë mbërritur dje në Tiranë për tu njohur në lidhje me mënyrën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Vendimet e dhëna kohët e fundit, në favor të ish-pronarëve shqiptarë kanë shërbyer që nga Strasburgu të vijë një grup i posaçëm, i nivelit teknik për tu njohur më konkretisht me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, duke u fokusuar veçanërisht në lidhje me procesin e financimit.Sipas burimeve pranë Këshillit të Evropës në Tiranë, mësohet se grupi i posaçëm do të zhvillojë takime në nivele të dyta dhe të treta qeveritare për tu njohur më konkretisht për çështjen e kompensimit financiar të ish-pronarëve. Kështu pritet të zhvillohen takime edhe me përfaqësuesit e Gjykatave Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Të tilla takime konsultative pritet të zhvillohen brenda këtyre tre ditëve. Gjatë paradites së djeshme mësohet se përfaqësuesit e KE-së janë takuar me funksionarë në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa dje pasdite, në ora 17.30, është zhvilluar një takim me kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis çefa. Ky takim ka zgjatur për më shumë se një orë. Në një prononcim për “Panorama” çefa deklaroi se “ky ishte një takim informues në kuadër të zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për çështjet e pronave dhe për masat që ka marrë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”. Ndërkohë përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” bënë të ditur se takimi i tyre me ekspertët e Këshillit të Evropës është shtyrë për ditën e sotme, për shkak të fluksit të madh të takimeve që kanë pasur ekspertët e Këshillit të Evropës. Drejtuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro dhe Myrshit Vorpsi kanë bërë të ditur se për zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronës pronarët i janë drejtuar gjykatës së Strasburgut. Vorpsi shprehet se deri më tani janë pranuar 211 kërkesa nga ana e gjykatës së Strasburgut për t’u shqyrtuar në lidhje me çështjet e kompensimit të pronave. Deri më tani mësohet se janë 5 vendime pro të dhëna nga Strasburgu në favor të ish-pronarëve, duke i kërkuar shtetit shqiptar t’i kompensojmë mbi bazën e çmimit të tregut. Të tilla janë vendimet për familjet e pronarëve si Beshiri, çufaj, Gjon Boçari etj. Në një konferencë të dy ditëve më parë shoqata “Pronësi me Drejtësi” i ka bërë thirrje subjekteve të shpronësuara që t’i drejtohen Strasburgut.