E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bare lë grevën për herë të dytë, arrin në 52 numri i pacientëve grevistë



Në ditën e 17-të vështirësohet së tepërmi gjendja shëndetësore e grevistëve. Gjatë këtyre ditëve, nën strehën e çadrave, grevistët janë përballur me vapën përvëluese, të ftohtin, lagështirën dhe në mungesë të ushqimit gjendja e tyre vjen dhe bëhet më problematike. Grevistët, përveç dhimbjeve muskulore, tensionit, dhimbjes së stomakut, dhimbjes së kokës, kanë shfaqur edhe probleme kardiake. Numri i grevistëve që nuk kanë mundur të rezistojnë më gjatë në grevë ka arritur në 52. Vetëm ditën e djeshme kanë lënë grevën pesë grevistë, ku midis tyre ishin edhe deputetët socialistë Ermonela Felaj dhe Besnik Bare. Deputeti Besnik Bare e ka lënë dje në orët e pasdites grevën e urisë për shkak të shqetësimeve kardiake. Bare iu rikthye grevës për herë të dytë pasi mori ndihmë mjekësore në QSUT. Deputetja e qarkut të Beratit, Ermonela Felaj, është larguar nga çadrat për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në ditën e 17-të të grevës së urisë, në orën 13:30. Ajo, me autoambulancë është transportuar për të marrë ndihmën e shpejtë mjekësore. Një tjetër grevist, në orën 12:14, ka lënë grevën e urisë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Flora Hasanaj, 45 vjeçe, nga Tirana, mbështetëse e Partisë Socialiste, ndodhej në grevë prej 16 ditësh. Pas gjendjes së rënduar me dhimbje koke, luhatje tensioni dhe dhimbje të forta stomaku, Flora iu dorëzua mjekëve të QSUT-së për mjekim. Më pas Flora është shoqëruar nga një tjetër, i cili ndërpreu grevën e urisë. Agim Seva, nga qyteti i Lushnjës, është transportuar me urgjencë drejt QSUT-së për të marrë mjekim më të specializuar. Armando Uruçi është një tjetër grevist që ka lënë tendën pasditen e djeshme. Me autoambulancë ai është nisur menjëherë për në QSUT. Mungesa e ushqimit mbart me vete pasoja në shëndetin e njeriut. Sipas sqarimit që ka bërë mjeku endokrinolog Feçor Agaçi, duke qenë se grevistët nuk marrin ushqim nga goja, ata konsumojnë ushqimet e vetë trupit, pra fillon të shkatërrohet organizmi për të marrë material ushqyes. Mjeku sqaron se fillimisht shkatërrohet dhjami. 30 për qind e trupit të njeriut është e përbërë nga dhjami, sasi që gjendet edhe te personat që janë të dobët fizikisht. Më pas fillojnë të shkatërrohen muskujt e krahëve dhe të këmbëve, pastaj muskujt e barkut. Më tej shkatërrohen organet e brendshme të organizmit, si: mëlçia, veshkat, zemra dhe në fund truri. Po ashtu ndodh edhe shkatërrimi i funksionit të të gjitha organeve, sidomos i gjëndrave endokrine me funksion të brendshëm në organizëm.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›