E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët terrorizojnë Athinën, plagosin me granatë dy policë

Dy në pranga

Të arrestuarit brenda 13 orësh çarmatosën dy policë, plagosën dy kolegë të tyre me granatë, vranë një hidraulik të pafajshëm dhe kryen disa grabitje. Policia greke nuk mundi të parandalojë asnjë prej ngjarjeve të rënda

Artan CENA

ATHINë – Pengmarrje, çarmatosje të uniformave blu, vrasje me bomba, të plagosur, njerëz të pafajshëm të vrarë, të gjitha këto të bëra nga dy shqiptarë dhe të ndodhura brenda 13 orëve në kryeqytetin grek Athinë. Pas shumë përpjekjesh policia greke ka mundur të arrestojë dy shqiptarët e dyshuar, të cilëve tashmë do t’u duhet të përballen me një sërë akuzash mjaft të rënda, mes të cilave edhe ajo e vrasjes së një personi të pafajshëm. Për arrestimin e tyre, policisë greke i është dashur organizimi i disa operacioneve, ndërsa në shumicën e rasteve shqiptarët që terrorizuan kryeqytetin grek kanë mundur të shpëtojnë pa lagur. Historia tragjike me protagonistë dy shqiptarë nisi dy ditë më parë, kur ata arritën të zhveshin dhe çarmatosin dy policë grekë, që ishin vënë në ndjekje të tyre, pasi kishin dyshime rreth veprimtarisë antiligjore të emigrantëve shqiptarë. Por pavarësisht informacioneve, policia greke nuk mundi të parandalojë asnjë prej ngjarjeve, ku më e rëndë ishte vrasja e një emigranti që punonte si hidraulik në kryeqytetin helen.

Ngjarja

Dy ditë më parë, në orët e mbrëmjes, dy policë shohin një makinë të dyshimtë, e cila po vinte rrotull një institucioni shtetëror në kryeqytetin grek dhe vendosën ta ndalojnë për kontroll. Policia kishte pasur dyshime të sakta, pasi kur dy personat që ndodheshin në automjet kanë parë policinë, tentuan të largohen. Pa u afruar mirë policia, dy personat që gjendeshin në makinën e dyshimtë kanë nxjerrë menjëherë armët që kishin me vete dhe kanë kapur njërin nga policët, duke i vendosur armën në kokë. Ndërkaq, polici tjetër u fsheh prapa makinës me armën, gati për të qëlluar, mirëpo dy kriminelët e kërcënuan, duke i thënë se, nëse nuk dorëzohej, do i vrisnin kolegun. Atëherë ai kishte marrë vendimin të dorëzohet në duart e dy personave të rrezikshëm. Pasi gjunjëzuan dy policët, u morën jelekët antiplumb dhe pistoletat, më pas i lidhën dhe i futën në sediljen e pasme të makinës së shërbimit. Jelekët antiplumb u gjetën disa metra më poshtë. Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq. Disa minuta më vonë, dy policë me motoçikleta vunë re makinën e dyshuar dhe i dhanë sinjal për të qëndruar, mirëpo njëri nga kriminelët qëlloi ndaj uniformave blu. Policia u vu në ndjekje të tyre, por nuk ka mundur që t’i vërë në pranga.

Terrori

Gjatë gjithë natës, efektivët blu të Athinës kanë bërë kërkime të dy personave që nuk diheshin çfarë kombësie ishin, por nuk i kishin gjetur. Gjatë orëve të mëngjesit kishin marrë informacion për vendndodhjen e tyre, por në drejtim të banesës kishin shkuar vetëm dy efektiva policie. Një ditë më vonë, gjatë paradites së djeshme, policia greke ka shkuar në Virona për të arrestuar dy të dyshuar për vrasje dhe grabitje. Efektivët e uniformave blu të Athinës po i prisnin jashtë banese dy shqiptarët e dyshuar. Kur dy emigrantët kanë parë policinë, kanë ikur me vrap dhe janë futur në vendin më të afërt që ishte hapur, që kishte rastisur një furrë buke. E këtu më pas, ata kanë mbajtur peng punonjësit. Pas kësaj ngjarjeje, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë helene, të cilët kanë kërkuar që dy shqiptarët të dorëzoheshin. Por nuk ishte e thënë që ngjarja të përfundonte me kaq. Dy shqiptarët që ndodheshin në ambientet e brendshme kanë hedhur drejt policëve pesë bomba, nga të cilat plasën katër dhe plagosën një polic dhe një qytetar. Ty dy u shoqëruan për në spital, mirëpo qytetari 25-vjeçar hidraulik vdiq gjatë rrugës. 25-vjeçari fatkeq, emigrant, hidraulik, i martuar dhe kishte një fëmijë të vogël, kishte shkuar me pronarin në një banesë aty afër për të lënë disa materiale. Dy personat që shkaktuar këtë ngjarje të rëndë janë vënë në pranga dhe më pas u identifikua dhe kombësia e tyre, e cila ishte shqiptare, por autoritetet nuk bënë publikë emrat e të arrestuarve.

Rrëmbimi i biznesmenit vlonjat

Hetimi, dy të pandehurit përdorën si karrem një femër

TIRANë - Dy të akuzuar për pengmarrjen e një biznesmeni vlonjat pritet të përballen në gjykatë me akuzën që prokuroria ka ngritur ndaj tyre. Sipas hetimit, Fatmir Memlikaj dhe Julian Todhe, të akuzuar për heqje të paligjshme të lirisë të biznesmenit A. A., kishin gjetur një mënyrë mjaft origjinale për të futur në kurth të dëmtuarit, duke përdorur si karrem një femër. Ka qenë vajza, ajo që fillimisht kishte nxjerrë një lajmërim në gazetë, ndërsa biznesmeni vlonjat i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së saj. Kaq ka mjaftuar, që të akuzuarit të krijonin skemën që, sipas tyre, do u sillte përfitime nga biznesmeni, të cilin e rrëmbyen më 20 dhjetor të vitit të shkuar në kryeqytet. Sipas hetimit, mësohet se pas lajmërimit të gazetës, biznesmeni dhe vajza kanë shkëmbyer disa sms, ndërsa kanë rënë dakord që të takohen më 20 dhjetor në lagjen “Laprakë”, në periferi të kryeqytetit. Biznesmeni ka shkuar në vendin e takimit me automjetin e tij, por teksa priste vajzën, ai ka hasur në presionin e dy të pandehurve, Fatmir Memlikaj dhe Julian Todhe, të cilët i janë prezantuar si burri dhe kushëriri i vajzës me të cilën do të takohej biznesmeni. Ata janë futur në makinë dhe i kanë kërkuar shtetasit me inicialet A. A. të lëvizte, ndërsa gjatë rrugës të dyshuarit i kanë bërë presion për lidhjen që ai po tentonte të krijonte me bashkëshorten dhe kushërirën e tyre, fakt ky që sipas prokurorisë nuk rezultoi i vërtetë, pasi të pandehurit thjesht kanë përdorur vajzën si karrem për të joshur biznesmenin. Pas disa minutash rrugë, automjeti që drejtohej nga biznesmeni i rrëmbyer ka ndaluar pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, ku i dëmtuari ka kërkuar ndihmën e një furgoni policie që ndodhej aty. Policët kanë arrestuar të dyshuarit, ndërsa gjatë hetimit ata kanë mohuar akuzën, duke pretenduar se nuk kishin asnjë qëllim për të marrë pengë biznesmenin. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit do të përballen me gjykatën për akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”.

Arrestohet hajduti i 5 dyqaneve

TIRANë - Lokalet dhe dyqanet ushqimore duket se kanë qenë objektet e preferuara për t’u vjedhur nga 25-vjeçari Fation Osmeni. Policia e Tiranës bënë të ditur gjatë ditës së djeshme, se ka rënë në pranga një prej personazheve me më shumë vepra penale vjedhje gjatë kohëve të fundit. Për 25-vjeçarin, banues në Durrës, policia ka të paktën pesë vjedhje të dokumentuara. Vjedhja e një dyqani në rrugën “Mine Peza” në Tiranë në 31 mars të vitit të kaluar. Vjedhja e një lokali në prill të vitit të kaluar, në lagjen ish-Nish Tulla 3 në Durrës. Një tjetër vjedhje është ajo e qershorit të vitit 2009, në rrugën “Don Bosko”. Po ashtu, policia deklaron se Osmeni dyshohet edhe për vjedhjen e një dyqani në Babrru dhe një tjetri në Unazën e Re. Për këtë person, gGykata e Tiranës me vendim të datës 29 maj 2009 ka caktuar masën e sigurisë “arrest më burg”.

Një mijë gjoba për shoferët e padisiplinuar

TIRANë - Janë rreth 1 mijë gjoba në ditë të vendosura nga policia rrugore në kryeqytet për shkelje të rregullave të qarkullimi. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, e cila në një njoftim për shtyp deklaron se nuk do të ketë tolerime për drejtuesve të mjeteve, “të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, dhe i fton ato të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare”. Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas policisë janë vendosur 807 masa administrative dhe janë pezulluar 10 leje drejtimi. Të gjitha këto masa të rrepta, sipas policisë, kanë si qëllim parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor. “Kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›