Bariç: "Lorik Cana nje superlojtar, por me temperament agresiv"

(Pjesa e katërt dhe e fundit): Besart Berisha dhe Edmond Kapllani po përjetojnë momente të shkëlyera me ekipet e tyre dhe mezi presin të dëshmojnë aftësitë në 90 minuta të plota. Të dy lojtarët duken se janë kundër hegjemonisë së sulmuesve veteranë?
Otto Baric:- Sulmi nuk përbën problem për Kombëtaren shqiptar. Por, më duhet të pranoj se në plan të parë për mua nuk janë më Igli Tare dhe Ervin Skela, por Berisha, Kapllani, Salihi dhe Memelli, të cilët natyrisht kanë nevojë të rriten brenda fushës. Tare ka dhënë shumë për Shqipërinë, por unë do të flas me të për të kuptuar edhe ai projektet e mia. Besart Berishën do ta konsideroja një futbollist makinë dhe ndodhet në një superformë. Një futbollist shumë i përgatitur fizikisht. Unë kontaktova edhe me trajnerin e Hamburgut, Thomas Doll, nga i cili sigurova vlerësime pozitive për Berishën. Ju e shihni vetë: tre gola në katër ndeshje janë shumë për një ekip të formatit të Hamburgut. Ai është një nga lojtarët me të ardhmen më të sigurt në kombëtare. Kapllani është një futbollist i maturuar dhe këtë e konstatova si gjatë fazës përgatitore në Hamburg në kuadër të ndeshjes me Bjellorusinë, por edhe në grumbullimin para takimit me Holandën. Fakti që ai qëndroi në tribunë gjatë ndeshjes me Holandën ishte për shkak të formës së shkëlqyer që tregoi Hamdi Salihi gjatë ndeshjes miqësore me skuadrën rajonale të Amsterdamit (VPV Purmersteijn 8-0), ku ai shënoi pesë gola brenda 40 minutave. Ju e dini se kundër Holandës unë kisha në dispozicion katër sulmuesë në 18-she. Unë besoj se tashmë ka ardhur koha e Kapllanit. Një sulm me Berishën dhe Kapllanin do të ishte shumë efikase dhe produktive. Në lidhje me Skelën, jam shumë mirë i informuar për problemet që ai po kalon që kurse u transferua te Energie Kotbus. E kam ndjekur me vëmendje atë gjatë gjithë këtij sezoni dhe i urova fat kur ai u transferua te Askoli. Me skuadrën italiane u aktivizua vetëm në fillim të sezonit, pastaj nuk u duk më. Ai nuk është aspak në një situatë ideale për një futbollist. Kotbus ka shumë nevojë për të ashtu si dhe Kombëtarja shqiptare. Mua më mbetet vetëm t'i uroj atij të jetë shëndoshë, por për të qenë i sinqertë ai ndodhet në një situatë të komplikuar.
Gjithmonë gjatë vizitave tuaja në Shqipëri keni shfaqur një preferencë publike për Klodian Duron?
Duro është një lojtar shumë i zgjuar dhe unë kam krijuar një bindje për të. Një tjetër lojtar i rëndësishëm është edhe Devi Mukaj, që tashmë gjendet në një formë të mirë fizike. Ai është shumë i rëndësishëm. Gjatë përgatitjeve në Antalia, Duro dhe Mukaj do të përbëjnë boshtin e ekipit, pasi dhe lojtarët e tjerë nuk kanë një përvojë të madhe ndërkombëtare. Mukaj ka luajtur dy herë në ndeshjet e mia si drejtues i bankinës shqiptare. Përparime të mëdha ka bërë Debatik Curri, por unë shpresoj edhe te Dedaj që luan me NK Osijek në Kroaci, një lojtar shumë i shpejtë. Për mua i rëndësishëm është edhe Murati, dhe mezi pres që ai të rigjejë kondicionin fizik. Unë llogaris si lojtar me vlera edhe Memellin.
Lorik Cana është tashmë një nga liderët e Olimpikut të Marsejsës dhe ka shfaqur qëndrueshmëri në grupin e Kombëtares...
- Unë e vlerësoj atë si një superlojtar, por ai duhet të jetë më i qetë gjatë zhvillimit të lojës. Shpesh herë është më tepër se sa duhet agresiv, gjë që e dëmton shumë atë, por që ka dhe pasoja për Kombëtaren. Unë do të flas me të, për të kuptuar më mirë edhe mentalitetin e Canës. Unë besoj se ai do të më kuptojë.
Besnik Hasi është tashmë një veteran në përfundim të karrierës së tij. Shtypi shqiptar ka përmendur Mërgim Mavraj si pasues të tij, duke u nisur edhe nga ndonjë deklarim tuajin...
- Kur e kam thënë unë këtë. Mavraj nuk është në projektin tim për atë post të rëndësishëm. Kjo është e vërteta. Unë jam duke kërkuar një pasues me përvojë. Dëshiroj të ndërtoj një mbrojtje të mirë. Unë tashmë e kam gjetur këtë lojtar, të cilin do ta kem edhe në Antalia. Ky është Leutrim Neziraj i Karlsruhe II. Unë nuk dëshiroj ta humbas atë, pavarësisht se ai nuk është në formacionin e parë të Karlsruhes. Ne e zbuluam atë në zborrin në Shqipëri. Unë besoj se brenda gjashtë muajve Neziraj do të jetë një lojtar bazë. Ai është një lojtar modern që mund të luajë si mbrojtës a po mesfushor i majtë. Ai është formuar në Gjermani dhe mendon si gjerman. Ansi Agolli është gjithashtu një lojtar interesant i krahut të majtë. Unë mendoj se ai ka nevojë të jetë më dyluftues.
Në portë ekziston një konkurrencë të fortë. Arjan Beqaj është i deklaruar tashmë se i preferuari juaj, ndërkohë që rivalitetit midis Ilion Likës dhe Isli Hidit, në një të ardhme të afërt do t'i shtohet edhe prania e Saimir Ujkanit të Anderleht.Pse besoni sbumë të ndihmësi juaj Kovacic...
- Ai është një superbashkëpunëtor. Shumë i mirë në trajnim. Ai ka aftësinë që të gjykojë menjëherë nëse një lojtar është talent ose jo, ia vlen të investosh për të ose jo. Konsideratat e tij për Memellin pas ndjekjes së lojtarit në Norvegji ishin me shumë vlera. Edhe ndihmësi tjetër Shpëtim Duro është një bashkëpunëtor i mirë. Kristi Vangjeli? Ai është një lojtar shumë i mirë, por ne do të gjykojmë sërish për vlerat e tij. Kam menduar edhe për lojtarë të tjerë. Një nga këta është edhe Përparim Hetemaj që aktivizohet me AEK-un (Greqi). Unë kam folur me të atin e Hetemaj dhe ai dëshiron që djali i tij të luajë për Shqipërinë. Pengesa e vetme e tij e momentit është nënshtetësia finlandeze, për të cilën më kërkoi edhe kohë të reflektojë në marrjen e një vendimi përfundimtar. Në të vërtetë ai nuk ka asnjë mundësi të luajë për Kombëtaren e Finlandës pasi ata nuk e dëshirojnë atë. Nëse do të kisha Hetemajn, por dhe Jahmir Hykën, Sotir Ninin do të kishim një grup të rinjsh që premtojnë shumë. E përsëris se Shqipëria duhet të përballojë presionin e Greqisë për të marrë Ninin. Ai është shqiptar.
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka gjatë një interviste për Albania-sport, ka pohuar se në marrëveshjen me trajnerin Baric, pikët nuk janë treguesi më i rëndësishëm i vlerësimit të punës së tij, por ripërtëritja e ekipit është në plan të parë...
- Pikërisht këtë kërkoj edhe unë. Njerëzit duhet të më kuptojnë në punën time dhe kërkoj prej tyre durim. Unë besoj se vetëm kështu ne mund të ndërtojmë një të ardhme. Unë jam shumë interesuar për të ardhmen e ekipit shqiptar. Nuk kam ardhur në Shqipëri për të fituar para. Jua them me sinqeritet se këtu po marr pagesën më të vogël gjatë karrierës sime si trajner. Në dhjetë vitet e fundit kam fituar më shumë.
Ju keni qenë trajner i Kroacisë, Austrisë dhe tashmë i Shqipërisë. Si kanë qenë marrëdhëniet e tua në raport me presidentët e këtyre federatave, duke patur parasysh në mënyrë specifike ato me federatën tonë?
- Duhet të them se kanë qenë dhe janë marrëdhënie të shkëlqyera. Në Austri dhe Kroaci unë kam patur shumë sukses si trajner. Në Japoni ne humbëm kundër Turqisë, që doli e treta në Botërorin e vitit 2002. Unë kam dhënë maksimumin, por në Portugali nuk mund të jepja më shumë për Kroacinë. Edhe në Shqipëri unë cmoj se kam marrëdhënie të shkëlqyera. Problemi këtu ka të bëjë me lojtarët jo me federatën. Më duhet të gjej shumë lojtarë.
Si arrini ju të siguroni informacionin e duhur për lojtarët e Kombëtares apo ata kandidatë që luajnë në Itali, Greqi, apo diku tjetër?
- Unë jam shumë i informuar. Televizioni dhe gazetat janë një burim i besueshëm. Unë lexoj cdo ditë "La Gazzetta dello Sport". Unë jam shumë i informuar se në Gjermani ka dy-tre lojtarë të rinj në kualitetin e Kapllanit. Në Holandë gjithashtu. Këto janë shumë për këtë intervistë të parë...
Faleminderit dhe suksese me Maqedoninë zoti Baric
Intervistoi për Albania-sport.com: Dash Frashëri
--------------
Albania-sport.com falenderon te gjithe mediat shqiptare te cilat publikuan intervisten. Nje respekt i vecante per sitin www.talentet .com dhe drejtuesin e Zyres se Talenteve ne Gjermani, zotin Xhelil Musa.