E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç: Në kombëtare, 2 lojtarë shisnin ndeshje

Altin Latifi, Gazeta Shqiptare
Erdhi në krye të kombëtares shqiptare në korrikun e vitit 2007 dhe që kur kishte bërë listën e parë, kishte marrë vërejtje për të mos futur disa lojtarë, të cilët mbanin "firmën" e të dyshuarve për manipulime të ndeshjeve. Gjë që nuk thuhet nga një person i zakonshëm, por nga vetë Oto Baric, ish-trajner i kombëtares shqiptare, i cili në një rrëfim të djeshmin në të përditshmen kroate "Jutarnji List" është zhveshur nga dozat e diplomacisë. Baric ka pranuar se kishte marrë porosinë që disa futbollistë, të cilëve u kishte dalë emri për keq, të mos i thirrte në kombëtare. Por kroati pranon se nuk ishte nxituar dhe kishte larguar vetëm disa prej tyre, por nuk kishte arritur të shmangte dy të tillë. Rrëfimi i djeshëm ngre vërtetë pikëpyetje, ndërkohë që shumë i rëndë është edhe deklarata e Baricit, se ai e kishte marrë vendimin për t'u larguar që përpara ndeshjes me Bjellorusinë. Akuzat Oto Baric nuk përmend emra, por di shumë gjëra në lidhje me lojtarët që i drejtoi për 16 muaj. "Unë e di se dikush nga lojtarët ka qenë pjesëmarrës në përfundime të cuditshme të ndeshjeve. Madje, mua më kanë sugjeruar që t'i largoj nga kombëtarja, mirëpo dy nga të dyshuarit për përzierje nuk arrita t'i eliminoja", ka thënë Baric për "Jutarnji.hr", të premten. "Megjithatë, falë Zotit, aventura ime shqiptare është e përfunduar", ka shtuar më tej ish-tekniku kuqezi. Në lidhje me deklaratën e dhënë nga Kryeministri Berisha, që tha se kombëtarja drejtohej nga një grup mafioz e që shet ndeshje, Baric shprehet se "nuk e di këtë, por nëse Kryeministri apo ministri i Sporteve në Shqipëri kanë fakte, atëherë le t'i nxjerrin". Dorëheqja Pas humbjes 6-1 në Rumani, Oto Baric dha dorëheqjen, por në të vërtetë një vendim i tillë duhet të kishte ardhur që përpara ndeshjes me Bjellorusinë, më 17 nëntor në Tiranë. Por, ka qenë takimi me Presidentin Topi ai që i ka kthyer mendjen kroatit. "Para një muaji pata vendosur ta braktisja detyrën e trajnerit të Shqipërisë, mirëpo më patën thirrur sërish, ndërkohë që unë kisha arritur një marrëveshje me Dinamon për t'u bërë skaut i tyre. Më caktuan një takim me Presidentin e Republikës, një fans i futbollit, i cili kishte respekt për mua dhe më këshilloi që të qëndroja edhe dy vjet të tjera", ka rrëfyer Baric. "Unë pata vënë tri kushte, njëri nga të cilët kishte të bënte me përmirësimin e kushteve financiare për ndihmësin tim Slavko Kovacic. Kur pas tri javëve u ktheva në Tiranë, asnjëra nga kushtet nuk ishte respektuar", është shprehur më tej Baric. Katër të larguarit në epokën "Baric" Në intervistën e tij të djeshme, Baric thotë se disa prej futbollistëve për të cilët kishte sinjale, i kishte larguar ngadalë-ngadalë nga ekipi, por i kishin mbetur vetëm dy. Në fakt, që nga koha kur ai mori pankinën kuqezi, ishin katër futbollistë që u hoqën prej tij ndeshje pas ndeshje. Në fillim, ai nisi me Taren, të cilin nuk e thirri që pas ndeshjes miqësore me Maqedoninë në Shkodër. Ndërkohë që Aliaj ishte larguar vetë pa zhurmë, duke mos ardhur më. Në të njëjtën kohë nuk u thirr më as Besnik Hasi, i cili kishte një dëmtim për ndeshjen me Slloveninë, por u la gjithnjë jashtë pastaj. Ndërsa i fundit ishte Murati, që ndeshjen e fundit pati miqësoren me Anglinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›