E Diel, 1 Nëntor 2026

Astrit Hafizi: Kombëtarja nuk u shit, kaq mundësi ka

Sokol Paja
Në një kohë kur në opinionin futbolldashës dhe mbarë shqiptar flitet për ndeshje të shitura dhe të trukuara të ekipit tonë përfaqësues, ish-trajneri i kësaj Kombëtareje, Astrit Hafizi, ka mohuar gjithcka. Sipas ish-trajnerit Hafizi, Kombëtarja nuk kishte mundësi për më tepër dhe akuzat që i bëhen për shitje sipas tij janë të pavërteta, sepse mundësitë e ekipit ishin vërtet të vogla. Në përzgjedhjen e trajnerit të kombëtares Hafizi preferon më të mirin pa dallim kombësie, mjafton që ai të bëjë më të mirën për ekipin e tij kombëtar. Do të ishte më mirë një trajner i huaj apo shqiptar për kombëtaren e futbollit? Për mendimin tim, si njohës i mirë i futbollit dhe ish-trajner i ekipit përfaqësues, rëndësi mbi të gjitha ka që zgjidhet një trajner që të jetë sa më i aftë për ta drejtuar Kombëtaren. Si përzgjedhja e një trajneri të huaj, po ashtu edhe vendas, ka anët pozitive dhe negative të zgjedhjes, ndaj më e mira do të ishte që të gjykohej drejt dhe të zgjidhej më i afti për të drejtuar Kombëtaren. Është kompetencë e presidentit të FSHF-së që të bëjë këtë zgjedhje, por them se duhet një sa më i aftë dhe nuk duhet bërë dallime i huaj apo vendas, mjafton të jetë i përgatitur dhe ta drejtojë ekipin mirë. Duhet të bëhet më e mira e mundshme në këtë zgjedhje, që pastaj të kemi edhe rezultate pozitive. Po të ishit ju ai që do të zgjidhnit trajnerin e Kombëtares, kë do të preferonit? Sinqerisht për mua nuk kam dallime dhe preferenca për trajnerët, mjafton që ndër ato kandidatura të zgjidhja më të mirin dhe, vendas apo i huaj, nuk më intereson shumë. Mjafton që të jetë i përgatitur dhe i aftë për të drejtuar. Mendoni se trajnerët shqiptarë kanë mundësi dhe aftësi që ta drejtojnë Kombëtaren? Jam shumë i bindur që edhe trajnerët shqiptarë janë shumë të aftë që ta drejtojnë ekipin përfaqësues. Kam besim se të gjithë ata trajnerë që drejtojnë sot në superligë janë të aftë që ta drejtojnë kombëtaren. Drejtimi i kombëtares është ëndrra e madhe e cdo trajneri, ndaj edhe shqiptarët duhet ta gëzojnë këtë të drejtë, kur mundësitë i kanë. Mendoni se dy ndeshjet e fundit të kombëtares janë shitur apo trukuar? Unë mendoj se jo. Duke parë ekipin në disa ndeshje të mira që ka zhvilluar, shumëkujt i jepej përshtypja se ky ekip mund të shkojë më lart, por unë, si specialist, e shikoj dhe e zbërthej teknikisht se ekipi ynë ka pasur dobësi të mëdha në krahasim me kombëtaret e niveli tonë dhe të atyre që mendoheshin poshtë nesh. Ne kishim mundësi të merrnim një fitore me Slloveninë, por me Bjellorusinë nuk kishim asnjë mundësi. Ata treguan se ishin shumë më lart se ne, dhe për të arritur aty është punuar me vite. Ne duhet të punojmë për perspektivën dhe me elementet e rinj, jo sa të marrim një rezultat dhe kaq. Dy fitoret me Luksemburgun dhe asnjë fitore me ekipet tjera që kishim në grup tregon se sa mundësi kishte Kombëtarja jonë. Nuk kishim asnjë mundësi për më tepër. Kaq dhamë dhe kaq morëm. Me Skënderbeun të tregojmë kujdes Në prag të ndeshjes që ekipi i Tiranës do të luajë përballë Skënderbeut, trajneri Hafizi tregon se ekipi i tij duhet të ketë kujdes dhe ta marrë seriozisht ndeshjen. "Normalisht që futemi në fushë për të marrë tri pikë, kjo nuk diskutohet, por mbi të gjitha duhet të tregohemi të kujdesshëm që ta fitojmë edhe këtë takim", tha Hafizi. Në këtë ndeshje ekipi i Tiranës do të ketë mungesën e Mukës të paaftësuar nga dëmtimi dhe po ashtu të Sefës, të dëmtuar në ndeshjen me Butrintin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›