E Diel, 1 Nëntor 2026

Bariç dhe rinovimi i (pa)mundur i Kombëtares së tij

Albania-Sport - Përvec optimizmit vetjak, Baric i ka shifrat kundër. Dinamika e zhvillimit të ngjarjeve qysh se kroati u ul në stolin e përfaqësueses shqiptare, nuk e justifikon optimizmin e tij. Kemi barazuar me Biellorusinë jashtë 2-2, kemi humbur me Rumaninë brenda 0-2 dhe me Holandën jashtë 1-2. Më 24 mars presim Slloveninë dhe katër ditë më vonë shkojmë në Bullgari. Një fitore më 24 mars na nxjerr sipër Sllovenisë. Ndoshta do të mund të marrim 6 pikë me Luksemburgun, e ndonjë pikë në ndeshjet brenda. Po me Luksemburgun do të luajnë të gjitha skuadrat e grupit, jo vetëm ne.
Shumë premtime, minimum rezultatesh; shumë fjalë e variante, tepër pak lojë në fushë. Baric ka pohuar mëse një herë se misioni i tij kryesor është rinovimi i përfaqësueses shqiptare. Në miqësoren me Maqedoninë pati dy-tre emra të rinj. Por nëse prurjet e emrave të rinj nuk shoqërohen me një lojë të re, më të bukur, më produktive, atëherë termi "rinovim" mbetet pa kurrfarë vlere, madje bën keq. Cfarë të reje pamë në miqësoren e së mërkurës në "Loro Borici"? Asgjë. Absolutisht asgjë. U mundëm si zakonisht dhe pamë një lojë të zvargur, me një përqindje skandaloze pasimesh të gabuara, me lojtarë të rinj që provohen vetëm dhjetë minutat e fundit.
Të marrim një shembull ku termi rinovim ka gjetur zbatim real. Gjeorgjia, me të cilën jemi ndeshur shpesh, tani nën drejtimin e gjermanit Topmëler po paraqet një fytyrë tjetër. Jo vetëm e fitoi ndeshjen me Turqinë, por pjesa më e madhe e lojtarëve ishin debutantë, ndërkohë që mungonin disa emra të shquar e ndërkohë që Turqia kishte formacion shumë më të plotë. Traineri turk Fatih Terim u shpreh: "Gjeorgjia më la një përshtypje të mrekullueshme. Urime Topmëlerit, i cili brenda një periudhe të shkurtër ka krijuar një ekip jo vetëm luftarak, por edhe shumë interesant". Pra është e domosdoshme rinovimi i lojës, jo thjesht i emrave.
Përse bëhet kaq zhurmë te ne, duke e konsideruar sukses të madh aktivizimin e dy- tre të rinjve, kur loja mbetet po ajo që ka qenë, e dobët dhe e pafrut? Për të krijuar përshtypjen se po punohet për të ardhmen, se po ecet në rrugë të mbarë? Me të tilla akrobacira nuk mund të ecësh përpara në futbollin evropian. Trajneri pohon se luajtëm shumë mirë pjesën e dytë. Nuk na u duk pikërisht kështu. Gjithsesi, kjo nuk duhet të ngushëllojë kërrkënd, aq më pak teknikun e kuqezinjve. Trajneri përpiqet të justifikohet me terrenin, që gjoja nuk i la tanët të shpreheshin në nivelin e tyre më të mirë. Po maqedonasit a nuk luajtën në të njëjtin terren? Nëse u mundëm në një miqësore me Maqedoninë, sfida e ardhshme me Slloveninë do të jetë ku e ku më e vështirë.
Baric, si trajner me përvojë, duhet ta ketë dëgjuar shprehjen "Ne 22 këmbë, ata 22 këmbë, një top dhe një bilbil në mes". Topi, bilbili dhe fusha me Maqedoninë ishin njëlloj për të dyja palët. Po kështu do të jenë edhe me Slloveninë. Më 24 mars urojmë më të mirën, pra fitore kundër sllovenëve. Por nëse përsëri dështojmë, do të jetë e tepërt, t'ia hedhim fajin fushës, si me Maqedoninë, apo bilbilit si me Holandën. Nëse dështojmë, faji duhet kërkuar gjetkë. Në këtë rast vlen shumë guximi qytetar për ta pohuar dhe pranuar…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›